“Udhëtim në geton shqiptare”

17/05/2012 00:00

“Është si një Scampia alla shqiptare, ku nuk hynë dot, por as nuk del”. Kështu e nis përshkrimin e eksperiencës së tij shqiptare, fotoreporteri italian, Stefano Morelli në rrëfimin e tij për Shqipërinë, por jo për atë pjesë për të cilën flasin vazhdimisht politikanët, për anën tjetër të Shqipërisë, për shqiptarët që politika dhe institucionet “nuk shohin”.

Autori ka ndërmarrë një udhëtim nëpër Shqipëri, ku është ndalur edhe në lagjen Kodër Kamëz, pikërisht tek ish-konviktet e agronomisë, aty ku sot jetojnë në kushte skandaloze rreth 3-5 mijë banorë.

“Jemi në Institut, në lagjen geto të Kodër Kamzës në periferi të Tiranës. 200 metër më tej shtrihet godina e re e universitetit, ku ecejaket e studentëve dhe profesorëve të krijojnë imazhin e një normaliteti. Por jo, aty ndodhen edhe tetë pallate të ndërtuara diku nga 1950-1970, ku jetojnë mbi 3 mijë banorë, të ardhur kryesisht nga veriu i Shqipërisë për shkaqe ekonomike, por edhe për shkak të gjakmarrjes, ose Kanuni që shihet si pengesë për hyrjen e vendit në Bashkimin Europian”, thotë fotoreporteri Stefano Morelli për La Repubblica.

“Në Institut ka familje që janë arratisur për shkak të Kanunit. Aty fshehin identitetin e vet, sepse mund të gjenden kudo tjetër dhe të vriten”, shpjegon Stefano Morelli.

“Problemi i gjakmarrjes ekziston dhe është i përhapur. Institucionet shqiptare e mohojnë, sepse përbën një pengesë për hyrjen e vendit në Bashkimin Europian”, thotë Stefano Gaddini, zëvendëspresident i shoqatës L’Impronta, që prej vitit 2008 viziton rregullisht Institutin ku kanë ngritur edhe një qendër sociale.

“Lufta ndaj Kanunit është një prej kushteve për të hyrë në BE, që megjithatë, duket se është injoruar”, thotë Simone Mori, anëtar i Comunità Papa Giovanni XXIII, që prej 10 vjetësh punon në veriun e Shqipërisë për të pajtuar gjakrat.

Top Channel