Prizren, promovohet abetarja e përbashkët

17/05/2012 00:00

Promovohet në Prizren abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Në ceremoni
ishin të pranishëm krerë të qeverive të dy vendeve, ministrat e
arsimit, hartuesit e abetares dhe dhjetëra qytetarë.

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi abetaren e përbashkët si kryevepër të dijes që i dhurohet kombit shqiptar.

“Jam shumë i lumtur për hartimin e këtij libri. Rruga e dijes është rruga e dritës, për të cilën kanë shumë nevojë shqiptarët”, tha Berisha, duke shtuar se abetarja mbart ëndrrat, sakrificat dhe idealin e bashkimit të shqiptarëve.

Ndërsa Thaci e konsideroi këtë si ditë historikë për kombin shqiptar, ndërsa është një shprehje e ndergjegjes dhe emancipimit.

Abetarja, Maqedonia jashtë

Maqedonia nuk është përfshirë në projektin për unifikimin e abetares mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo, sipas Partisë Demokratike Shqiptare ndodh për faj të Ministrisë së Arsimit në Shkup. Deputeti i PDSH-së, Zijadin Sela tha se ky dikaster që ka edhe një zv/ministër shqiptar, po tenton t’i shkëpusë nga trungu nxënësit shqiptarë të Maqedonisë.

“Maqedonia ngelet jashtë abetares së unifikuar shqiptare jo tani, por prej vitit 2009, kur abetares në Maqedoni, me vendim të Ministrisë së Arsimit, ku pjesë e atij vendimi është e BDI, në Maqedoni nuk i thonë më abetare, por libër leximi. Është një tendencë që të shkëputen nga trungu shqiptarët e Maqedonisë. Tendenca është e qartë dikush dëshiron t’iu lajë trurin nxënësve shqiptarë, por kjo s’ka për të ndodhur”, deklaroi deputeti i PDSH-së, Zijadin Sela.

Përfaqësuesit e partisë shqiptare në pushtet BDI, përgëzuan zyrtarët e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri dhe Kosovë për të këtë projekt me rëndësi të madhe. Deputeti i BDI-së, Xhavat Ademi tha se edhe nxënësit shqiptarë të Maqedonisë duhet të mësojnë nga abetarja e unifikuar.

”Do të kishte qenë e palogjikshme dhe absurde që edhe Maqedonia, respektivisht nxënësit shqiptarë në këtë vend, të mos mësojnë nga abetarja e unifikuar. Nuk i kuptoj vonesat dhe hezitimet eventuale nëse ka Ministria e Arsimit të Maqedonisë nga një projekt i cili vetëm ofron, afirmon dhe unifikon”, u shpreh Ademi.

Mbetja e Maqedonisë jashtë këtij projekti është kritikuar edhe nga intelektualët dhe autorët shqiptarë nga Shkupi, të cilët vlerësojnë se një gjë e tillë ndodh për shkak të mungesës së dijes dhe iniciative të politikës shqiptare në Maqedoni.

Top Channel