Vazhdon odisea e romëve

15/05/2012 00:00

Për të disatën herë radhazi romët që jetojnë pranë Unazës së Madhe në Tiranë, janë dëbuar me forcë nga çadrat e tyre.

Me fëmijë të vegjël në duar, ata janë vendosur poshtë një ure, duke kërkuar sërish ndihmën e shtetit dhe të gjithë organizatave që merren me mbrotjen e të drejtave të njeriut.

“Bashkia, Besniku me disa persona të tjerë, kanë përdorur dhunë. Ne nuk dimë ku të shkojmë. Ju lutemi të na strehojnë në ndonjë copë toke. Ne tokën nuk e marrim me vete, thjesht që të ushqehemi me bukë, të punojmë me kanaçet”, thotë një familjar rom. 

Edhe familjet rome që janë strehuar prane ish-reparteve ushtarake në kombinat, jetojnë në kushte shumë të vështira, pa ujë, pa energji elektrike dhe në ambiente aspak të përshtatshme për fëmijët e tyre.

Ministri i Punës, Spiro Ksera tha për Top Channel, se brenda pak ditësh do të përfundojë instalimi i energjisë elektrike, por edhe i ujit të pijshëm.

“Për 3-4 ditë do të kemi furnizim me energji elektrike se banorët e lagjes atje kishin bërë një ndërhyrje. Me ujin e pijshëm kemi dy zgjidhje, e para është me anë të një pusi në zonën ushtarake të bërë shumë vite më parë dhe e dyta me ujësjellësin për të bërë furnizimin e repartit nga një linjë tjetër. Sot janë mbledhur të gjithë donatorët për të mbështetur familjet rome”, tha ministri Ksera.

Në qershor do të fillojë investimi i parë prej 400 mijë eurosh për ndërtimin e qendrës së rehabilitimit në këtë zonë, tha Ministri i Punës.

Top Channel