Shpërndarja e kursimeve

14/05/2012 00:00

Një raport zyrtar i Agjencisë së Depozitave që iu paraqit deputetëve në
Komisionin kuvendor të Ekonomisë dëshmon se pjesa dërrmuese e kursimeve
në banka, zotërohet nga një grup i vogël individësh.

Raporti, që i referohet të dhënave zyrtare nga bankat, tregon se 5 për qind e atyre që kanë kursime në banka, zotërojnë mbi 58 për qind të shumës totale të depozitave në vend. Ndërsa 95 për qind të tjerët ndajnë mes tyre pjesën e mbetur të kursimeve.

“Në fundvitin 2011, numri i depozituesve, të cilët e kanë shumën e depozitave të tyre të agreguara deri në 2 milionë e 500 mijë lekë, dominon duke zënë 95 për qind të totalit të numrit të depozitorëve në individë, në sistemin bankar, të cilët janë plotësisht të mbuluar nga skema”, thotë Silvana Sejko, drejtoreshë e ASD-së.

Në fund të vitit 2011 kursimet totale të individëve arritën sipas të dhënave zyrtare, në 740 miliardë lekë nga të cilat 430 miliardë i përkisnin vetëm 68 mijë personave. Ndërsa pjesa e mbetur prej 310 miliardë lekësh ndahen nga 1 milionë e 532 mijë veta ose 200 mije leke kursime per depozitues. Shifrat e depozitave në banka tregojnë se kapitali, të paktën ai që qarkullon në sistemin bankar është i përqëndruar në duart e pak individëve, ndërsa pjesa dërrmuese kanë kursime modeste.  

Top Channel