Presidenti, Berisha vendos piketat

14/05/2012 00:00

Ajo që ndodh gjithmonë pasi largohen kamerat, veçanërisht kur bëhet fjalë për zhvillime politike, është gjithmonë pjesa më interesante e takimit. Kështu ka ndodhur edhe me mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Në pjesën jopublike të mbledhjes, kryeministri Sali Berisha ka prekur çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe i ka informuar deputetët demorkatë për gjëra të rëndësishme, që nuk lidhen vetëm me axhendën qe ai do të ndjekë për zgjedhjen e presidentit, por edhe ka konturuar profilin e kandidatit për president të mazhorancës.

Në fakt, prej asaj që kryeministri Berisha ka thënë në mbledhjen e grupit nuk është se ka ndonjë surprizë, por, kjo është hera e parë që kryeministri komunikon me deputetët pas takimit mes Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Shefi i mazhorancës ka deklaruar se, menjëherë pas kthimit nga samiti i NATO-s në Çikago do të mbledhë kryesinë e Partisë Demokratike.

Këtë mbledhje kryeministri Berisha e shikon të domosdoshme jo vetëm për të marrë mandatim nga kryesia për të negociuar me aleatët dhe faktorët e tjerë parlamentarë.

Në mbledhjen e kryesisë, që pritet të zhvillohet pas rreth 10 ditësh, kryeministri Sali Berisha, me shumë gjasa do të diskutojë, ndoshta edhe do të vendosë bashkë me kryesinë, se kush do të jetë kandidati i Partisë Demokratike për president.

Këtu vjen edhe pohimi i dytë i kryeministrit Berisha, i cili u ka pohuar deputetëve të tij se, “Partia Demokratike do të shkojë në negociata me kandidatin e saj, që duhet të jetë një nga drejtuesit e Partisë Demokratike”. Ky kandidat, siç është shprehur kryeministri Berisha, “nuk do të jetë një drejtues me rëndësi të dorës së dytë apo të tretë”.

Statuti i Partisë Demokratike përcakton si drejtues të dorës së parë, përveç kryetarit, sekretarin e përgjithshëm, Ridvan Bode dhe dy nënkryetarët, Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli. Dhe, me këtë logjikë, Partia Demokratike ka hapësirë të shkojë në negociata edhe me një kandidate për presidente.

Në gjininë femërore për presidentin e ardhshëm foli të shtunën edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Por, duke qenë se LSI-ja kërkon me këmbëngulje konsensus për presidentin, përcaktimi i emrit final është i parakohshëm.

Kryeministri Berisha, deri më tani, nuk ka përmendur për asnje moment takimin mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, por ai ka siguruar deputetët demokratë për qëndrueshmëri të koalicionit. Të paktën, siç është shprehur kryeministri Berisha, Partia Demokratike po përmbush me luajalitet detyrimet e saj ndaj koalicionit.

Top Channel