Me kërkesë të prokrurorit të çështjes, Gjykata Penale e Tiranës ka liruar bashkëshortin e Eleni Bashos, Ilia Basho, me argumentin e mungesës së provave.

Burime të gjykatës pohuan për Top Channel se per Ilia Bashon u dha masa e detyrimit me paraqitje.

Top Channel kontaktoi me 38-vjeçarin dhe avokatin e tij në lokalin ku ata ishin ulur për të pirë një kafe, menjëherë sapo i dyshuari i policisë dhe i prokurorisë për ngjarjen e 2 shkurtit të këtij viti kishte lënë ambjentet e paraburgimit dhe po pinte një kafe me avokatin e tij.

Babai i dy fëmijëve kërkon ta lënë të qetë në fatkeqësinë e tij dhe të gjenden sa më parë njerëzit që i vranë të shoqen, ndërkohë që ai flet pa pushim nga telefoni i avokatit me të njohurit që sapo kanë marrë lajmin.

“Më lini rehat, dua të takoj fëmijët e mi dhe vetëm kaq. Më lini rehat në shqetësimin tim. Prokuroria dhe policia le t’i gjejnë vrasësit”, deklaroi Basho.

“Në vazhdën e deklarimit që unë përmenda përpara, jo të gjithë janë të destinuar të mësojnë të vërtetën. Nuk jam triumfator, as unë e as klienti im. Ajo që dha gjykata sot tregon se në vend ka drejtësi dhe se drejtësia funksionon”, tha më pas avokati Lazer Sokoli.

Eleni Basho u gjend e vrarë mbrëmjen e dy shkurtit pranë shtëpisë së saj. Për ekzekutimin e saj policia deklaroi se, në bazë të përgjimeve dhe telefonatave dyshonte bashkëshortin e saj.

Ndërkohë që pas tre muajsh, vetë organi i hetimit është dorëzuar dhe është në kërkim të provave të reja për këtë ngjarje, që fillimisht u paraqit si krim në familje.

Top Channel