Topalli: Reforma Zgjedhore do të mbyllet me sukses

13/05/2012 00:00

Megjithë zhvillimet aspak optimiste në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duket se nuk e ka humbur besimin se edhe Reforma Elektorale do të përmbyllet me sukses.

Këtë qëndrim zonja Topalli e mbajti gjatë një takimi me organizatën e Federalistëve të Rinj Europianë, në kuadër të Muajit të Europës që përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit.

Kryetarja e Kuvendit nuk dha detaje ku e bazonte optimizmin e saj, por zonja Topalli u tha të rinjve europianë se “ishte optimiste se edhe Reforma Zgjedhore do të finalizohet shumë shpejt”, ndërsa për Reformën Parlamentare zonja Topalli ka dhënë lajmin se “ajo do të mbyllet në pak ditë”.  

Në takimin me federalistët e rinj europianë, kryetarja e Kuvendit evidentoi faktin se “gjatë historisë së tyre, shqiptarët nuk kanë marrë asnjë dhuratë në përpjeket e tyre kombëtare”. Duke i konsideruar si meritë të shqiptarëve edhe kryerjen e këtyre reformave, zonja Topalli beson se vendi do të bëjë edhe një hap tjetër për të kapur një stacion të ri në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Top Channel