Tkurret rritja ekonomike

13/05/2012 00:00

Banka e Shqipërisë parlajmëron se ekonomia shqiptare mund të jetë ngadalësuar sërish në tre-mujorin e parë të vitit, pas përmirësimit që shënoi në fundin e vitit të kaluar.

Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka vëren se vrojtimet e saj mbi treguesit e besimit sinjalizojnë për një ngadalësim të mundshëm të aktivitetit ekonomik, në pjesën më të madhe të sektorëve.

Sipas saj, i vetmi sektor që shfaq shenja të lehta përmirësimi në tre-mujorin e parë është ai i shërbimeve, ndërsa aktiviteti i ndërtimit dhe prodhimi industrial vlerësohet të jenë tkurrur më tej gjatë kësaj periudhe. Vlerësimet pesimiste mbi ekonominë konfirmohen edhe nga të dhënat e para që lidhen me konsumin dhe investimet private.
Treguesit e pjesshëm, vëren Banka, sugjerojnë për shpenzime të dobëta konsumatore gjatë tre muajve të parë të vitit për shkak të rënies së përgjithshme të besimit të individëve, por edhe ecurisë së dobët të punësimit.

Ndërsa për investimet private, që janë edhe përbërësi i dytë i kërkesës së brendshme, situata vlerësohet edhe më e zymtë. Në dy muajt e parë të vitit, importi i mallrave kapitale, ku hyjnë makineritë dhe pajisjet që përdoren për investime, u tkurr me 16.6 për qind krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar.

Mbi këto shifra, Banka del në përfundimin se kontributi i investimeve në rritjen ekonomike është tkurrur. Madje, ekspertët e saj vlerësojnë se ecuria e investimeve në ekonomi pritet të jetë e dobët për gjithë vitin për shkak të pasigurive në lidhje me gjendjen e ekonomisë dhe burimeve të kufizuara të financimit për biznesin.

Që në fillim të vitit, qeveria shqiptare dhe Banka Qendrore i kanë varur shpresat tek konsumi dhe investimet e brendshme për të frenuar tkurrjen e mëtejshme të rritjes ekonomike.  Por, të paktën për tre muajt e parë të vitit, shifrat nuk janë premtuese.

Top Channel