Meta: Kam kohë për President…

12/05/2012 00:00

Ilir Meta, në një konferencë për shtyp pas takimit me senatorin italian
Alberto Filippi nuk dashur të japë detaje rreth një bashkëpunimi politik
të mundshëm me Edi Ramën, kur u pyet nga Top Channel, nëse ka shanse që
LSI të bashkojë votat me Partinë Socialiste, për të zgjedhur një President jashtë
vullnetit të deklaruar të Sali Berishës, për një President nga radhët e
mazhorancës.

“Mendoj se është emergjente bashkimi i votave për t’i dhënë fund reformës zgjedhore në Parlament, sepse koha tashmë pothuajse ka skaduar. Për t’i dhënë fund reformës parlamentare pra procedurave parlamentare dhe zgjidhjes së çështjes së imunitetit. Për sa i takon cështjes së Presidentit, për mua është shumë e rëndësishme të theksoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ky proces. Pra, bëhet fjalë për të ndërtuar një proces i cili duhet të vijojë edhe në të ardhmen edhe pas zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re”, tha Meta.

Pavarësisht se senatori italian Alberto Filippi i është drejtuar kreut të LSI-së si presidenti Meta, gjë e cila u pëlqye nga reagimi që pasoi, zoti Meta nuk i ka dhënë një përgjigje nese do te jete ai nje prej kandidateve.

“Kandidimi im, i bërë në mënyrë të qartë është ai për kryetarin e LSI-së, ndërsa një kandidim i mundshëm për postin e presidentit kemi 30 vjet përpara për ta çmuar të gjithë së bashku, kur do të ishte një moment i përshtatshëm, nëse do të duhej përsëri për të kontribuar në vazhdimin e reformave që do të vijnë në kohën e duhur”, tha Meta.

Ilir Meta, aleati i zotit Berisha nuk ka hezituar t’i japë përgjigje pyetjeve për një skenar të mundshëm të zgjedhjeve të parakohshme dhe si do të vepronte, nëse Edi Rama do ta ftonte për darkë në shtëpinë e tij.

“Zgjedhjet e parakohshme janë të panevojshme. Mendoj se energjitë tona tani duhet të përqendrohen tek marrja e vendit kandidat dhe nuk besoj se një vit është larg për të realizuar zgjedhjet në kohen e duhur. Absolutisht neqoftese do të kisha një ftesë për darkë në shtëpinë e tij me kënaqësi do ta pranoja. S’kam asnjë hezitim, absolutisht. Ju e dini nëse s’e keni harruar, se edhe kur nuk isha i ftuar në dasmë, çova buqetën më të bukur apo jo?”, tha Meta.

Top Channel