Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në prezencë të shumë intelektualëve por edhe studentëve të drejtësisë, u promovua libri i ekspertit të çështjeve kushtetuese, Sokol Sadushi.

“Drejtësia Kushtetuese në Zhvillim” është prezantuar si një tekst praktik që do t’u vijë në ndihmë studentëve të fushës së ligjeve.

“Në këtë botim ndodhen vendimmarrjet kushtetuese për të cilat unë kam mbajtur qëndrim. Ofroj një mundësi për të mos e gjykuar në mënyrë të njëanshme vlerësimin”, deklaroi Sadushi.

Ndërsa akademiku Esat Stavileci edhe profesori i së drejtës kushtetuese Arsim Bajrami vleresuan librin e Sadushit.

“Vlera e këtij libri është krahasimi dhe analizimi i vendimmarrjes kushtetuese. Përgëzoj autorin e librit si një historian të së drejtës evropiane”, deklaroi Stavileci.

Me një të kaluar si ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Sokol Sadushi sjell në këtë vepër eksperiencën praktike edhe për lexuesit e Kosovës.

Top Channel