BE: Ekonomia, kriter për Shqipërinë

11/05/2012 00:00

Përveç kriterit politik dhe 12 prioriteteve kyçe, kriteri i dytë i rëndësishëm nën monitorimin e Bashkimit Europian është ekonomia. Në Qëndrimin e përbashkët, BE vëren se Shqipëria ka vijuar rritjen ekonomike me një ritëm më të ulët, bazuar në të dhënat zyrtare të vendit.

Prodhimi i pakët vendas e për rrjedhojë eksportet e ulta, krahasur në
tërësi me nivelin e lartë të importit nga jashtë, përkeqësuan bilancin
tregtar dhe defiçitin e llogarisë korente, një problem ky strukturor,
sipas dokumentit konfidencial të 27 vendeve anëtare.

“BE merr parasysh se ekonomia shqiptare ka vazhduar rritjen, ndonëse me një ritëm më të ulët, pavarësisht rrethanave të vështira ekonomike globale. Rritja e GDP-së është ruajtur dhe inflacioni mbeti brenda objektivit të synuar nga Banka e Shqipërisë, defiçiti i llogarisë korente u përkeqësua pasi bilanci tregtar u zgjerua. Në mënyrë që të sigurohet stabilitet makroekonomik në një mjedis ekonomik rajonal dhe ndërkombëtar ende të paqëndrueshëm, BE inkurajon Shqipërinë që të marrë masa për të forcuar konsolidimin fiskal duke siguruar një rënie të qëndrueshme në raportin e borxhit me GDP. BE vëren se mungesa e ekuilibrit në bilancin tregtar me jashtë të Shqipërisë mbetet i lartë si rezultat i një hendeku domethënës në tregtinë e mallrave. “Prodhimi i Shqipërisë dhe baza e eksporteve mbetet e pakët duke sugjeruar se defiçiti i llogarisë korente është strukturor. Një numër pengesash strukturore, përfshirë klima e dobët për investime, godasin konkurrencën dhe pengojnë joshjen e lartë të vlerës së shtuar të investimeve e huaja”, thotë dokumenti.

Funksionimi i ekonomisë
së tregut

Përmbushja e 12 kritereve do të ndikonte pozitivisht edhe në kriterin ekonomik, pasi sundimi i ligjit, apo çështja e pazgjidhur e pronave, ndikojnë në funksionimin e ekonomisë së tregut. BE vlerëson nivel të lartë të ekonomisë informale dhe nxit Shqipërinë për të ulur papunësinë.

“BE merr parasysh përpjekjet e Shqipërisë në drejtim të krijimit të një ekonomie tregu funksionale me anë të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe inflacionit të qëndrueshëm. BE mirëpret hapat në përmirësimin e kuadrit rregullator për biznesin, por inkurajon përpjekje të mëtejshme për të adresuar mangësitë në lidhje me çështjen e të drejtave të pronës, zbatueshmërinë e kontratave dhe sundimin e ligjit, ekonominë ende të gjerë informale dhe proçedurat e varfëra për daljen nga tregu. BE inkurajon Shqipërinë që të marrë masa për të përmirësuar infrastrukturën e saj, përfshirë në energji dhe transport, për të luftuar papunësinë dhe për të forcuar kapitalin njerëzor, sidomos duke përmirësuar sistemin arsimor dhe duke rritur aftësitë e krahut të punës”, sugjeron BE.

Taksat dhe Doganat

Për të luftuar ekonominë informale, dokumenti i referohet sistemit tatimor, ndërsa kërkohet të dëshmohet lufta ndaj korrupsionit në dogana.

“BE inkurajon Shqipërinë të vijojë përafrimin e legjislacionit dhe praktikave të saj me ato të BE-së mbi tatimin e drejtpërdrejtë dhe atë indirekt, si dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme në hetimin tatimor, përfshirë për sa i takon luftës ndaj ekonomisë informale. BE vëren vendosmërinë e Shqipërisë për rritjen e investimeve të huaja direkte dhe shtyn për më tepër përpjekje në trajtimin e vështirësive ekzistuese të investitorëve, përfshirë vonesat serioze në rimbursimin e TVSHsë. BE mirëpret angazhimin e autoriteteve shqiptare për të vijuar uljen e përdorimit të çmimeve të referencës dhe për të rritur përdorimin e vlerës së transaksionit. BE pret zbatimin efektiv të tij. BE vëren se Shqipëria është duke ndërmarrë masa për të luftuar korrupsionin, dhe nënvizon rëndësinë e krijimit të të dhënave solide në këtë drejtim në kuadrin e shqetësimeve për korrupsionin e perceptuar në administrimin e doganave dhe të taksave”.

Parashikimet

BE ngre dyshime për parashikimet e rritjes ekonomike, borxhit publik e defiçitit të përcaktuar në buxhetin e vitit 2012, duke këshilluar rishikimin e tyre.

“BE inkurajon Shqipërinë që të shtjellojë më shumë buxhetin e vitit 2012 miratuar në dhjetor 2011, sidomos në lidhje me parashikimet për rritjen e GDP-së, të borxhit publik dhe defiçitit buxhetor, duke vlerësuar sfidat e mundshme për stabilitetin makroekonomik të vendit dhe shqyrtimin e mundësisë për ri-rregullime në buxhet gjatë muajve të ardhshëm. Në këtë drejtim, BE thekson rëndësinë për të siguruar të dhëna statistikore ekonomike me cilësi të lartë”, thotë dokumenti.

Statistikat

Për të siguruar të dhëna të besueshme, kërkohet pavarësi profesionale me ligj nga INSTAT.

“BE bën thirrje që marrja e masave për garantimin e pavarësisë profesionale të INSTAT-it të përfshihet qartë në legjislacion dhe të garantojë burimet financiare dhe ato njerëzore. Nevojitet përmirësimi i përpilimit të statistikave kyçe ekonomike”.
 
Bashkëpunimi financiar

Në fushën e bashkëpunimit financiar, BE kërkon respektimin e angazhimeve politike për të garantuar qëndrueshmërinë e projekteve të financuara nga BE.

“Rritja e pronësisë në këto politika nga autoritetet shqiptare është thelbësore për të arritur rezultatet e pritshme. Garantimi i plotësimit të angazhimeve, garantimi i zhvillimit efektiv dhe zbatimi i projekteve si dhe ndjekja e përshtatshme edhe pas kryerjes janë thelbësore për të garantuar qëndrueshmërinë e projekteve financuese të Besë”.

IPA

“BE nënvizon se ngritja dhe ruajtja e kapaciteteve të duhura administrative, përfshirë pajisja me stafin e përshtatshëm të institucioneve përkatëse, është një parakusht për zbatimin efikas të ndihmës financiare. BE mirëpret hapat e marrë në përgatitjen e proçesit të Menaxhimit Decentralizues të fondeve të para-anëtarësimit, IPA, veçanërisht përsa i përket Komponentit të parë. BE inkurajon Shqipërinë që të vijojë proçesin edhe për komponentët e tjerë. Proçesi i Menaxhimit Decentralizues i IPA-së mbetet një ushtrim sfidues për Shqipërinë për ngritjen e kapaciteteve administrative”.

Sistemi bankar në Shqipëri vlerësohet si i kapitalizuar dhe likuid, por BE inkurajon vendin që të ndërmarrë hapa për të zgjidhur nivelin e lartë të kredive të këqia.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel