Qëndrimi i përbashkët i vendeve anëtare të unionit nuk vlen vetëm për Shqipërinë, por edhe për Komisionin Europian, i cili do të hartojë raportin e radhës së progresit duke marrë parasysh “humorin” apo ndjeshmëritë e tyre, pasi pavarësisht asaj që rekomandon Komisioni janë vendet anëtare që vendosin për dhënien ose jo të statusit kandidat.

Konkluzionet e BE-së, që prej publikimit të opinionit në vjeshtë të vitit 2010, janë baza e qëndrimit, duke përkujtuar mosplotësimin e asnjë kriteri nga Shqipëria një vit më parë.

“BE vëren se Raporti i Progresit i Komisionit në vitin 2011 arriti në përfundimin se Shqipëria bëri vetëm një progres të kufizuar në plotësimin e prioriteteve politike për anëtarësim dhe në 12 prioritetet kyçe. Ka patur një farë progresi në luftën kundër krimit të organizuar, përmirësimin e trajtimit të personave të burgosur dhe në të drejtat e fëmijëve, por progresi mbeti i pamjaftueshëm për sa i përket gjyqësorit, politikave anti-korrupsion, të drejtën e pronës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetin rom, shtoji këtyre dhe punën që nevojitet për rregulloren e parlamentit dhe zgjedhjet. BE arriti më tej në përfundimin se Shqipëria nevojitet të bëjë përpjekje të vazhdueshme dhe të arrijë progres të dukshëm në të gjitha këto çështje, para se Komisioni të mund të rekomandojë statusin kandidat dhe çeljen e negociatave të BEsë për anëtarësim”.

Edhe me ndryshimet pozitive që u shfaqën vetëm pas marrëveshjes politike të nëntorit 2011, me votimin e disa ligjeve me 3/5 dhe nisjes së disa reformave si ajo zgjedhore dhe parlamentare, vendet anëtare mbeten skeptike. Sipas angazhimit fillestar këto reforma duhet të ishin përmbyllur brenda muajit prill, gjë që në dokument reflektohet me pritshmërinë për rezultate konkrete dhe në kohë.

“BE mirëpret ngritjen e një komisioni parlamentar për reformën zgjedhore me një përfaqësim të gjerë ndërpartiak dhe nënvizon nevojën për të arritur në kohë rezultate konkrete”, shkruhet në dokumentin e BE-së.

Në 25 faqe dokument, fjala “zbatim” përmendet 34 herë, shoqëruar me fjalët “hapa, masa, dhe rezulate konkrete”, apo “gjurmë provash”, të cilat Shqipërisë i kërkohet t’i dëshmojë në të 12 prioritetet kyçe, për të rritur shanset për marrjen e statusin kandidat.

Por, përveç këtij qëndrimi të përafruar, Shqipëria përballet edhe me ndjeshmëri specifike të vendeve anëtare, si përshembull marrëveshja e ujërave me Greqinë, e mbetur pezull apo respektimi i të drejtave të njeriut që ndiqet me rreptësi nga Holanda.

Votimi i disa ligjeve, reforma zgjedhore dhe parlamentare, zgjedhja e një presidenti konsensual, apo siç përsëritet rëndom, 100-vjetori i pavarësisë, nuk mjaftojnë që ky vit të kthehet në vitin Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit europian.

Burime diplomatike në Bruksel konfirmojnë për TCH se vende si Holanda, Danimarka, Austria dhe Gjermania kërkojnë rezultate konkrete, veçanërisht për pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën anti-korrupsion.

Top Channel