Në Shqipëri nuk mund të ndodhë një ‘revolucion’ në kutitë e votimit

10/05/2012 00:00

MUSTAFA NANO – Të dielën e shkuar pati zgjedhje në një numër vendesh.
Diku ishin presidenciale, diku parlamentare e diku tjetër
administrative.

Më të rëndësishmet ishin ato të Francës, gjë që ka të bëjë me rolin e vetë Francës në ekonominë, politikën e diplomacinë europiane në këto kohë të një krize të frikshme kontinentale. Mund të ketë ide se mes Sarkozy-së e Hollande-it nuk ndryshon ndonjë gjë në thelb, por kjo do të ishte një optikë shumë amatoreske. Mes të dyve, nëse u referohemi premtimeve e projekteve elektorale, ka një hendek të madh; është aq i madh ky hendek sa ardhja e Hollande-it ka provokuar shqetësim e debat edhe në vende të tjera. E pastaj, ndryshimi i qiraxhinjve në pallatin Élysée nuk është një gjë e paktë as për politikën e brendshme franceze. Për herë të parë një socialist kish hyrë në këtë pallat 24 vjet më parë. Dhe konsekuenca e parë e këtyre zgjedhjeve presidenciale ishte dalja në pension e Sarkozy-së, e këtij personazhi që, për shkak të karizmës e pulsioneve të protagonizmit, merrte hapësirë shumë më tepër se sa i takonte në jetën franceze. “Po largohem”, deklaroi ai menjëherë pas humbjes. Dhe kjo nuk është një ngjarje dosido në atë vend.

Zgjedhjet në Francë tërhoqën natyrshëm reflektorët e mass-media-s, por pati një palë zgjedhje të tjera që në disa drejtime ishin, e janë, edhe më të rëndësishme. Është fjala për zgjedhjet në Greqi, ku pritej që të dilte një qeveri e fortë për t’i bërë ballë krizës e për t’u dalë zot reformave që janë ndërmarrë. Por rezultati nuk ish ai që pritej. Në parlamentin e ri nuk po gjendet dot një shumicë qeverisëse, pasi çdo koalicion i mundshëm nuk e kapërcen dot numrin 150 të deputetëve (për të pasur shumicën, duhen 151 vota në parlament). Përveç kësaj, aty janë verifikuar ca risi të frikshme. Kemi një afirmim parlamentar të ca partive ekstremiste, që deri para krizës ishin të pazëshme e pa ndikim. Është fjala për Partinë Komuniste dhe neo-naziste, të cilat kanë sot respektivisht 26 e 22 deputetë. Por e dhëna më befasuese, që ka tronditur jetën politike greke, është rënia drastike e dy partive të mëdha, që kanë sunduar Greqinë gjatë dekadave të fundit e që në një masë të madhe janë përgjegjëse për krizën. Demokracia e re mbetet parti e parë, por ka zbritur në nivelin e 18,9% të votave, ndërsa Pasok-u doli e treta në renditje, me vetëm 13,2% të votave. Është një rezultat që ka rrezik ta rikrijojë e rithemelojë nga e para botën politike greke. Është një gjë pozitive? S’është e thënë. Por tronditja e klasës politike atje ishte një imperativ.

Pati zgjedhje dhe në Itali. Nuk ranë në sy, pasi ishin zgjedhje komunale, por një vlerësim aposteriori i tyre na bën t’i shohim si të rëndësishme. Duket se këto zgjedhje shënjojnë fillimin e fundit të partisë së Berlusconi-t. Pa leader-in e vet (apo pronarin?), kjo parti nuk mban. Dhe kuptohet, dobësimi i forcës së saj elektorale e politike nuk është një ndryshim i vogël. Bëhet fjalë për një parti që i ka dhënë tonin jetës politike italiane të njëzet viteve të fundit, në opozitë e në pushtet. Nuk njihen mirë konsekuencat e kësaj rënieje të mundshme, por njëra u lexua qysh në këto zgjedhje: mbi rrënojat e saj, dhe mbi rrënojat e krizës në Itali, u ngrit partia e Grillo-s, komikut të famshëm italian, që i është përkushtuar politikës prej disa vitesh. Afirmimi i Grillo-s ka ngjallur një lloj shqetësimi, pasi për të dihet se çfarë konteston, e nuk dihet mirë se çfarë ofron. Por përtej konsideratave të këtij lloji, ngritja e partisë së tij ‘5 Stelle’ dhe rënia e partisë së Berlusconi-t, tok me një rënie të pritshme të partisë së Bossi-t (që këtë herë vetëm sa dha shenja lodhjeje), tregojnë se në skenën politike italiane janë duke u bërë lëvizje të forta.

Siç shihet, kriza ekonomike ka sjellë pasoja dramatike e të rëndësishme në politikat e këtyre vendeve (s’po përmend Serbinë, pasi përbën një rast më vete, që s’ka lidhje me këto të mësipërmet). Po bien nomenklaturat e vjetra e po afirmohen të reja; e pikërisht ky lexim mund të jetë interesant në Shqipëri, ku rënia e shkërmoqja e klasës politike, më saktë rikrijimi i saj, është gjithashtu një imperativ. Por a mund të ndodhë kjo gjë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do duhet të ndalemi te dy gjëra që i dallojnë këto ‘tërmete’: 1. Janë tërmete (më shumë në Greqi, pastaj në Itali, e pastaj në Francë) pas krizash, ose në kohë krizash; dhe 2. Janë tërmete që erdhën në rrugë elektorale. Në ndonjërin prej këtyre vendeve, fjala vjen në Greqi, mund të vinte dhe në rrugë të tjera. Janë provuar atje gjithë këto kohë organizime protestash e mobilizimesh të dhunshme në rrugë e në sheshe, por ato nuk sollën asnjë ndryshim. Ndryshimi i madh pra ndodhi atje, brenda dhomave e kutive të votimit.

Faktori i parë, kriza pra, është i pranishëm dhe në Shqipëri. Madje, këtu është një krizë shumë më komplekse; është aq komplekse sa, në vend të aktivizimit, ka zënë të provokojë tek-tuk çmobilizim. Mirëpo s’është ky problemi ynë. Problemi ynë është që së pari nomenklatura sunduese pluraliste po merr trajta po aq të kalcifikuara sa ajo moniste. Është një gjë që ka ndodhur nëpërmjet kontrollit të plotë të vendit në terma financiarë, politikë, mediatikë, ekonomikë etj., etj. Ka plot njerëz që kanë ide për një ndryshim të fortë e të shëndetshëm, por nuk gjejnë hapësira e mjete për t’u afirmuar. Dhe një nga pengesat më të mëdha në këtë mes ka të bëjë me kontrollin e plotë të proceseve elektorale. Shkurt, neve “na është hequr mundësia të bëjmë revolucione brenda dhomave të fshehta të votimit”. E prandaj është e kotë të priten tërmete të forta në skenën politike shqiptare, d.m.th. shkërmoqje apo rënie të partive të mëdha, ridimensionim të partive të vogla, lindje të partive të reja etj., etj. Për fat të keq, e për ca kohë, Shqipëria do të jetë kjo që është në terma politikë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel