Manovra e HEC-it të Lanabregasit

10/05/2012 00:00

Ekspertët thonë se shitja e hidrocentralit të Lanabregasit tek
Ujesjellësi i Tiranës është një manovër e jashtëligjshme financiare,
përmes së cilës, qeveria po përpiqet të lehtësojë krizën financiare të
saj.

“I gjithë legjislacioni përsa i përket mënyrës së trajtimit të pronës shtetërore, të shitjes së saj, të privatizimit të saj, apo të transferimit është i përcaktuar. Aq më tepër kur bëhet fjalë për kalim të kësaj prone, midis dy pronarëve që kanë të njëjtin pronar, që është pronar shteti, e nuk mund të përdoret as Kodi Civil dhe as ndonjë formë tjetër e transkaksionit nëpërmjet shitblerjes, kundrejt një çmimi të caktuar”, thotë ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli.

Zoti Pajtim Bello, një njohës i mirë i veprave energjetike thotë se edhe çmimi i shitjes është abuziv. Sipas tij, një hidrocentral me fuqi të njëjtë, sa Lanabregasi mund të ndërtohet me gjysmën e çmimit që po e blen Ujësjellësi, duke u kursyer qytetarëve 7.5 deri në 8 milionë euro.

“Po ta shikojmë në tërësinë e vet, si biznes, po të marrim edhe interesat e kredisë që do të paguajë, i bie që diferenca nuk është më 7.5 ose 8 milionë euro, është diku rreth 11 milionë euro më shumë. Pra të paguash 11 milionë euro, si pa të keq, kur nuk ke arsye të paguash”, thotë Bello

Por pse qeveria po e bën këtë manovër të pazakontë financiare? Arsyeja është e lidhur me krizën e financave të saj.

“Ky është një moderacion i mirëfilltë i injektimit të parave në buxhetin e shtetit. Eshtë njësoj si operacioni i shitjes së “Hotel Dajtit” 30 milionë euro dhe ja ku e keni, mbas tre vitesh nuk është bërë asgjë vetëm ka ngelur një varreze atje në mes të Tiranës. Pse? Sepse qeveria kishte nevojë për para dhe ky është borxhi i fshehtë që qeveria nuk e merr dot, por detyron ndërmarrja të saj të shkojnë ta marrin te bankat private, me qëllim që në dukje të ruajnë nivelin prej 60 për qind, por në fakt ka kaluar megjithë këto borxhe mbi 100 për qind”, tha Brace

Ujësjellësi ja bleu hidrocentralin qeverisë me një cmim 15 milionë euro, para që i mori kredi tek një bankë private. Pajtim Bello thotë se ky është një transaksion me kosto të mëdha për qytetaret.

“Momentalisht buxheti i shtetit është një aktor që përfiton 15 milionë euro, ndërkohë për këto para qytetarët e Tiranës do të paguajnë kredinë, principialin plus interesat, që do të shkojnë megjithë administrimin e kredisë rreth 20 milionë euro”, thotë Bello

“Edhe vete buxheti i shtetit për momentin mund të kapërcejë një situatë të krijuar në cështjet e financave publike dhe deficitit buxhetor, por e parë në kuadrin e përgjithshëm të situatës financiare dhe asaj makro-ekonomike vazhdon të thellojë vështirësinë financiare që ajo ka”, thotë Angjeli.

Kjo është hera e dytë kur qeveria shet një ndërmarrje shtetërore në shtet. Hera e parë ishte në vitin 2010, kur përmes një skenari të ngjashëm i shiti “Hotel Dajtin”, Bankës së Shqipërisë për një çmim prej 30 milionë euro.  

Top Channel