Fushata, PD shpenzoi 46 mln lekë më shumë se PS

10/05/2012 00:00

Shpenzimet marramendëse janë përdorur në zgjedhjet lokale të 8 majit të
vitit të kaluar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme
ka konkluduar se 18 parti politike kanë shpenzuar 3,63 miliardë lekë të
vjetra gjatë fushatës elektorale të vitit të shkuar, e cila kishte si
qëllim zgjedhjen e drejtuesve vendorë në 66 bashki, 308 komuna dhe 11
minibashki të Tiranës.

Në bazë të të dhënave zyrtare rezulton se Partia Demokratike është subjekti politik që ka shpenzuar më shumë se të gjithë garuesit e tjerë më 8 maj. Sipas raportit të auditëve të kontraktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në financat e partive, “Shqip” sqaron se rezulton se PD-ja ka përdorur për 8 majin 182 milionë e 504 mijë lekë reja, ndër to, financime buxhetore dhe private.

Me 46 milionë më pak, lista pasohet nga socialistët, të cilët për këtë fushatë kanë shpenzuar 136 milionë e 500 mijë lekë.

Forca e tretë për shpenzime në zgjedhje pozicionohet Lëvizja Socialiste për Integrim me 18 milionë e 500 mijë lekë. Por auditi i KQZ-së ka konstatuar se jo gjithmonë partitë kanë qenë në rregull me detyrimet tatimore, duke i kaluar disa donacione në mënyrë informale. “Detyrimet që parashikon Kodi Zgjedhor janë respektuar përgjithësisht nga subjektet në përjashtim të faktit që evidentimi i shpenzimeve është bërë jo në të gjitha rastet në përputhje të legjislacionit tatimor, pra jo në çdo rast shpenzimet janë kryer me fatura të rregullta tatimore”, shprehet drejtoresha e Financës në KQZ, Mirela Gega.

Partitë me probleme tatimore

Sipas relacionit të KQZ-së, fondet e përfituara nga donatorë të ndryshëm janë regjistruar në regjistrin e posaçëm të miratuar me vendim të KQZ-së. Për depozitimin e shumave mbi 100 mijë lekë, partitë politike kanë çelur numra të posaçëm llogarie në bankat e nivelit të dytë. Kanë marrë donacione në shuma mbi 100 mijë lekë partitë politike si më poshtë: 1. Partia Socialiste; 2. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet; 3. Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në çdo rast, nga ana e këtyre dhuruesve është plotësuar deklarata e posaçme për konfliktin e interesit e miratuar me vendim të KQZ-së. Ndërsa KQZ-ja ka rreshtuar edhe ato 9 subjekte politike që kanë probleme me tatimet. Sipas relacionit të KQZ-së, ato janë: “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut; Partia e të Drejtave të Mohuara e Re; Partia Aleanca Popullore; Partia MEGA; Partia Ardhmëria Shqiptare; Partia e Unitetit Kombëtar; Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare; Partia Aleanca Demokratike; Partia Demokristiane”. PD-ja u ka paguar amerikanëve 48,218 dollarë, ndërkohë që amerikanët që kanë këshilluar PS-në duket se kanë kushtuar shumë më pak, vetëm 10,000 USD. Sipas relacionit të KQZ-së, asnjë subjekt zgjedhor nuk ka shpenzuar për qëllime të fushatës zgjedhore më shumë se dhjetëfishi i shumës të përfituar nga një subjekt zgjedhor nga buxheti i shtetit për fushatën 2011. Shumën më të madhe për fushatën zgjedhore 2011 nga buxheti i shtetit e ka përfituar PD-ja 30.991.997 lekë, pra asnjë nga subjektet nuk ka shpenzuar më shumë se 309.919.970 lekë për fushatën elektorale 2011.

Top Channel