Onomastika, shkenca e studimit të emrave të vendeve, sendeve, ujërave etj etj, është e lidhur ngushtë me historinë, aq sa në shumë raste zbardh të shkuarën e një populli, të shkuarën e një vendi, zone, qyteti, fshati, liqeni, lumi etj etj.

Gjatë udhëtimeve kemi hasur shpesh nëpër tabelat rrugore emrat fshatrash, që në disa raste na duken të cuditshme. Pjesa më e madhe e këtyre emrave e kanë një prejardhje, e kanë një historik, të tjerë mbeten për t’u zbardhur.

Për të folur për toponiminë e fshatrave shqiptarë, në studion e Pasdite në Top Channel ishte Profesor Doktor, Gjovalin Shkurtaj. Profesori vuri theksin tek lidhja onomastikë-histori. Një pjesë e mirë e toponimisë së fshatrave shqiptarë rrjedh nga latinishtja dhe si shembull për këtë profesori solli Valbonën, që vjen nga latinishtja “Valis Buonis”, e përkthyer në shqipe, “Lugina e Mirë”.  

Profesor Shkurtaj më tej u ndal tek studimi i emrave të vendeve që i shton më shumë peshë autoktonisë së popullit shqiptar në këto troje. Si shembull për këtë, Profesori solli një sërë emrash fshatrash që gjenden në trojet ku jetojnë, apo ku kanë jetuar shqiptarë, nga Kosova deri në Çamëri.

Duke marrë shkas nga thënia e urtë “çfarë mbillet korret”, fare lehtë mund të kuptojmë shumë emra fshatrash, të vendosura sipas kulturës bujqësore që ata kultivojnë.

Shembulli tipik ishte “Dardhë” (fjala që rrjedh nga dardan, Dardania), disa fshatra mbajnë sot këtë emër, në Librazhd, Pogradec, Lushnje e deri në Çamëri ku gjejmë “Pyllin e Dardhës”. Tjetër emërtim i përhapur gjërësisht është edhe rrënja “arrë”, si Arrëz në Shkodër, Mirditë e Kukës, apo Fushë-Arrëz në Pukë, apo rrënja “mollë” në Elbasan, Lushnje e Tiranë. Përvec emrave të rrjedhur nga fruti-kultura, ka edhe emra që mbërrijnë nga bimësia e egër, si nga dushku ( disa fshatra në gjithë vendin mbajnë këtë emër), blini gëgërisht (me të tillë emër gjejmë fshatra në very) apo bliri toskërisht (fshatra në jug), frashëri, thana etj.

Por mund të ketë fshatra emërtimi i të cilëve rrjedh nga “i bukur, i keq, i mirë, i zi, i bardhë etj”. Në këtë rast, Prof. Shkurtaj solli Shtegun e Keq në Shkodër, Përroin e Zi në Elbasan, Gurin e Bardhë në Berat etj.   

“Onomastika është e lidhur me shpirtin e kombit”, vlerësoi profesor Shkurtaj.

Top Channel