AK në Qytetin Studenti: Aleancë me rininë

09/05/2012 18:30

Aleanca Kuq e Zi u ndal në Qytetin Studenti në kryeqytet, në një manifestim me të rinjtë studentë për të protestuar, kundër asaj që lideri i kësaj partie, Kreshnik Spahiu e quajti “politika e vjetër që ka mbajtur për 2 dekada jashtë BE-së Shqipërinë”.

“Në Ditën Europiane, slogani ynë është të jemi në Bashkimin Europian, por vetëm kuqezi. Sot shqiptarët kanë vetëm një aleat për në BE dhe ajo është Aleanca Kuq e Zi”, nisi fjalën e tij para të rinjve, kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu.

Më tej në fjalën e tij, zoti Spahiu sulmoi klasën politike, që ai i quajti “xhaketat e vjetra” si përgjegjëse të lënies së Shqipërisë jashtë Bashkimit Europian.

“E gjithë kasta e vjetër e politikës, xhaketat e vjetra, na bënë gropën. Ata po mundohen të riciklojnë njëri-tjetrin, ata të cilët bënë sikur u përleshën me njëri-tjetrin, ata që u fyen e u shanë për 2 dekada me njëri-tjetrin, ata janë fronti kundër AK-së, kundër bashkimit kombëtar, kundër integrimit në BE. Kjo është një luftë mes së resë dhe së vjetrës, kjo është një luftë që ka vetëm një fund; beteja duhet fituar, dhe beteja e parë fillon këtu”, deklaroi Spahiu.

Spahiu shtoi se në radhët e AK-së nuk ka dhe s’do të ketë vend për ish-deputetë, ish-ministra apo ish-kryeministra dhe se aleanca mbetet me rininë. Lideri i AK-së, nisur nga skandali i diplomave që mori shkas pas rastit Bossi, premtoi se në rast të ardhjes në pushtet, AK do të zbardhë diplomat e të gjithë deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, si dhe plagjiaturat e kryetarëve të Kuvendit.

Top Channel