Suedia: Statusi? Kujdes drejtësinë dhe korrupsionin

08/05/2012 00:00

Suedia mbështet Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, por zyrtarët suedezë kërkojnë një sistem drejtësie të pavarur dhe lufte ndaj korrupsionit.

Kjo iu konfirmua zv/kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto gjatë vizitës që zhvilloi në Stokholm.

Kryetari i Parlamentit Westerberg i kërkoi numrit 2 të qeverisë shqiptare se gjykatat duhet të jenë të pavarura dhe lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri duhet të vazhdojë.

Ndërkohë në takimin me Ministrin e Jashtëm të Suedisë, Karl Bild u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i deritanishëm midis dy vendeve.

Bildt u shpreh se Suedia, si mbështetëse e përhershme e zgjerimit, dëshiron që të shohë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pa përjashtim, si vende anëtare të BE-së. Por ai kërkoi që të ketë një avancim të axhendës së integrimit në BE, për të forcuar më tej reformat dhe proceset e konsolidimit të demokracisë në secilin vend aspirant.

Haxhinasto dhe Bild biseduan edhe për zhvillimet në veri të Kosovës dhe marrëveshjet Prishtinë-Beograd.

Pas Suedisë, Ministri i Jashtem vijon vizitën në Danimarkë.

Top Channel