Berisha: Edhe 200 HEC-e të reja

08/05/2012 00:00

Kryeministri Berisha gjatë takimit me kompanitë që ndërtojnë hidrocentrale me koncesion u shpreh se procesi është i suksesshëm dhe po punohet për ndërtimin e 200 hidrocentraleve të reja.

Por koncesionarët kërkuan nga kryeministri zgjidhjen e disa problemeve, që lidhen me mungesën e lidhjeve të këtyre hidrocentrale me rrjetin elektrik apo vonesat në pagesa nga KESH-i.

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi procesion e koncesioneve në hidrocentrale si një nga zhvillimet më të suksesshme të ekonomisë shqiptare edhe gjatë periudhës së krizës.

“Janë ndërtuar 25 HEC-e të reja dhe janë rindërtuar nga e para 21 të tjera. Kemi në proces ndërtimi ku po punohet mbi 100 hidrocentrale dhe shumë shpejt pritet të nisë puna në 100 të tjera. Procesi po ecë”, tha kryeministri.

Por edhe pse nisma e koncesioneve ka qenë ajo ku qeveria është investuar më shumë edhe politikisht, procesi ende zvarritet nga shumë probleme, që kryeministrit iu bënë të ditura nga vetë koncesionarët.

Zoti Berisha premtoi se qeveria do të bëjë të tjera lehtësira për koncesionet në energjetike, duke filluar nga mbledhja e radhës së qeverisë ku do të miratohen një vendim që shkurton lejet dhe licensat për këto biznese.

Top Channel