Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, indeksi i shitjeve me pakicë, që është dhe treguesi më i afërt i konsumit, u rrit me shifrën e paparëfillshme 0.2 për qind krahasuar me vitin 2010.

Ecuria e dobët e konsumit vitin e kaluar nuk ishte një dukuri e rastësishme apo e përkohshme. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se kjo është një tendencë që kishte nisur vite më parë.

Madje, në vitin 2010 indeksi i shitjeve me pakicë jo vetëm që nuk u rrit, por ra krahasuar me 2009. Por cilat janë shkaqet se përse familjet shqiptare kane pakësuar shpenzimet për konsum.

Autoritetet, si qeveria ashtu dhe Banka e Shqipërisë, thonë se individët, të trembur nga kriza, po preferojnë më shumë të kursejnë.

Ky pohim mbështetet edhe nga rritja realtivisht e lartë e depozitave në banka. Por në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë mund të zbulohen edhe shkaqe të tjera.

Ekspertët e bankës kanë matur për herë të parë ecurinë e të ardhurave të disponueshme të familjarëve për një periudhë disavjeçare.

Shifrat tregojnë se të ardhurat e familjarëve shqiptarë janë rritur me ritme të larta deri në vitin 2007, por nisën të bien fort menjëherë pas këtij viti, përpara se të niste kriza.

Siç tregojnë dhe të dhënat e bankës, rritja vjetore e të ardhurave reale për indvidët u tkurr nga 7 për qind në 2006, në 5 për qind në vitin 2008, për të rënë në nivelin minimal 3.7 për qind vitin e kaluar.

Arsyet

Ka disa arsye se pse rritja e të ardhuravë të shqiptarëve kanë rënë me ritme kaq të forta. Tkurrja e rritjes ekonomike është vetëm njëra prej tyre.

Të ardhurat e disponueshme janë të ardhurat që individëve u mbeten pas taksave që u merr qeveria. Në vitin 2007, kur të ardhurat kanë marrë dhe goditjen e parë të fortë, qeveria shqiptare miratoi taksën e sheshtë, e cila e rriti barrën fiskale mbi shumicën e individëve, në disa raste deri në tre herë.

Për të gjithë qytetarët që merrnin një pagë më të vogël se 140 mijë lekë në muaj, taksa e sheshtë bëri që ata të paguan detyrime më shumë.

Megjithëse qeveria pretendoi të rriste pagat për të neutralizuar efektin e taksës së sheshtë, mbërritja e krizës ndërkombëtare e mbajti të ndezur efektin negativ në renien e të ardhurave.

Por, veç rritjes së taksave, të ardhurat e disponueshme në ekonomi janë tkurrur edhe nga një faktor tjetër, që lidhet më rënien e dërgesave nga emigrantët, por edhe transferimi i fitimeve nga kompanitë e huaja që bëjnë biznes në Shqipëri, të cilat vitet e fundit janë rritur fort.

Sipas të dhënave zyrtare, dërgesat e emigrantëve që prej viti 2007 ranë nga 952 milionë euro në 693 milionë euro në vitin 2011. Ndërsa fitimet e transferuara jashtë nga kompanitë arritën të jenë 4 deri në 8 herë më shumë.

Për sa kohë këta faktorë që gërryejnë të ardhurat e familjeve do të jenë dominues, rritja e konsumit dhe dalja e ekonomisë nga kriza do të jetë e vështirë.

Top Channel