“Shqipëria Tjetër”, Dangëllia e harruar e vëllezërve Frashëri

07/05/2012 00:00

Ka mbijetuar ndër shekuj duke mbartur pas vetes emrin dhe traditën e madhe të një zonë ndër më të njohurat, jo vetëm në rrethin e Përmetit. Por pak do ta besonin se do të mjaftonin 21 vjet që në Dangëllinë, dikur hijerëndë, gjithcka do të ndryshonte; njerëz të larguar që kanë lënë pas vec fshatra të braktisur, dhe Dangëllinë që sot është kthyer në një zonë thuajse fantazmë.

Një rrugë e gjatë dhe e lodhshme të përpin vetëm pak minuta pasi largohesh nga aksi kryesor, Përmet-Këlcyrë. Frashëri, zemra e Dangëllisë duket i largët shumë, mes malesh e kodrash që pasojnë zvarrazi njëri-tjetrin.

Në fshatin e Naimit, Samiut e Abdylit, një heshtje e trishtë mbizotëron mes rrënojave të vjetra e të reja, e braktisjes që këtu dallohet gjithanësh. Shikimi i zbardhur i tre rilindasve hidhet diku tej, a thua se kërkon të tjeshkojë boshësinë mbytëse që sot mbizotëron kudo.

Frashëri i dikurshëm është tkurrur sot në kufijtë e mbijetesës me katër apo pesë familje të mbetura që përpiqen zorshëm mes vështirësive të pafundme që të ecin përpara.

“Kjo braktisje është nënvlerësimi i investimeve të munguara gjatë gjithë kohës. Nuk është bërë asnjë investim nga qeveria, si nga PS ashtu dhe nga PD, edhe pse unë jam përfaqësues i PD në komunë”, thotë Robert Bonjo, nënkryetar i Komunës Frashër.

Diku tej shkolla hesht pa nxënës, ndërsa disa shtëpi të tjera mezi qendrojnë, anuar majtas apo djathtas njëra-tjetrës.

Duke lënë pas Frashërin e shndërruar thuajse në një zonë fantazmë, ndalemi në Vërçisht, por edhe këtu asgjë nuk ndryshon. Nga 35 familjet e dikurshme, kanë mbetur vetëm katër apo pesë…tutje, gjithcka tjetër është e shkretë.

“Zona e Dangëllisë është e braktisur mbi 87 përqind, rreth 10 përqind e popullsisë ka mbetur. Unë e njoh tërë zonën e Dangëllisë”, thotë Enver Bregasi, banor i Dangëllisë.

Investimet dhe strategjitë e zhvillimit, këtu si në të gjithë zonën përreth, janë një element i panjohur. Dangëllia e vërtetë paraqitet kudo me një fytyrë të mplakur e të harruar.

“Dangëllia e ka dhënë me kohë sinjalin S.O.S. S’ka mbetur më. Edhe në Frashër kanë mbetur 2-3 shtëpi, dhe ata vërtiten për bukë, pothuajse në cdo fshat kështu është. Në cdo fshat kështu është. Dangëllia ka mbaruar se kështu e kanë lënë!”, thotë Zenel Bregasi, banor.

“Kemi ngritur zërin, ne s’kemi një traktor. Po punojmë si në mesjetë, me krahë”, thotë Enver Bregasi, banor.

Shtegu që dredhon mes shtëpive të heshtura dhe dritareve boshe, të con për pak minuta në Gostomickë. Një grusht banorësh të mbledhur rreth nesh përpiqen të thyejnë qetësinë mbytëse e në të njejtën kohë të rendisin arsyet që cuan në largimin e mbi 95 përqind të fshatit, pa rrugë, pa shkollë, me bujqësinë si në kohët e shkuara tej, largimi ishte mundësia e vetme për një jetë më të mirë.

“Edhe sikur të prodhojmë, s’kemi ku ta cojmë se duhet ta marrim nga këtu e ta cojmë në Përmet me kafshë. Nga këtu në Përmet dua dy ditë rrugë me kafshë”, thotë Agron Dema, kryeplak i Gostomickës dhe Vërçishtit.

Më tej në Koblarë, fshatin e Odhise Paskalit gjithcka duket e ngrirë mes pesë apo gjashtë familjeve që qendrojnë ende të strukura në këto anë.

“Jemi në një gjendje tepër të vështirë. Nuk e di si mund të ekzistojë një fshat që s’ka ekzistuar as në pellazgji”, thotë Flamur Tako, banor i fshatit Koblarë.

Banorët tregojnë se dikur këtu punonin traktorë e kobajna, ndërsa sot asgjë. Vec largimit e harresës, që në Koblarë ka kthyer në mënyrë të dhimbshme nostalgjinë për kohën e diktaturës.

“Nuk ndahet popullit në socialist dhe demokratë. Pse ta ndash popullin, popullin është gjynah të ndash si ato bagëtitë”, rrëfen Mjaftoni Tako, banore e Koblarës.

Ogreni dhe Gostivishti janë të vetmet fshatra që përpiqen të mbahen në të gjithë zonën e Dangëllisë. Kreshova, Zavalani, Surropulli e Miçani nga krahu tjetër të gjitha së bashku nuk kanë më shumë se 10 apo 15 familje.

Rrugëtimin e vazhdojmë drejt Selenicës. Këtu gjithcka ka shkuar. Errësira ka mbytur dritën e bashkë me të edhe jetën e fshatit Selenicë. Lëmë pas Dangëllinë e frashërllinjve, e Namimit, Samiut, Abdylit. Pas mbetet historia, tradita. Dangëllia e mikpritjes lëngon e qesendisur keqazi mes maleve të Përmetit, Dangëllia që sot jo për faj të saj është kthyer në fantazmë të vetvetes!

Top Channel