Media jonë burrërore

06/05/2012 00:00

VALBONA SULCE – Media shqiptare është burrërore.
Jo në kuptimin se është “e fortë”, “e guximshme”, cilësi këto që rëndom u
vishen burrave si gjini, por në kuptimin e atyre që janë në krye të saj
dhe në pikëpamje të përmbajtjes.

Media jonë po dëshmon dita-ditës se është pasqyrë e një shoqërie maskiliste ku femra vlerësohet e denjë vetëm për showbiz dhe sensacione të tipit: kush shkoi me kë. Përdorimi i pamjeve nudo pa pikë vlere lajmore vazhdon të pushtojë faqet e para të gazetave qoftë të shtypura, qoftë online, ndërkohë që lajmet që kanë protagoniste  femrat nuk kanë pikën e kujdesit për të mos riqarkulluar stereotipa dhe nxitur seksizma të dalë boje. P.sh. një lajm i tipit: “Shqiptarja u përdhunua nga iraniani- e kisha si vëlla”- përveç  ca rreshtave të thatë që riprodhojnë fjalët e vajzës në gjyq, nuk ka asnjë informacion tjetër, duke u dhënë kështu shkas komentuesve vulgarë të derdhin në rrjet gjithë çfarë mbajnë kundër femrave. Ose një shkrim paçavure që komenton sjelljet e një gazetareje hidhet pa problem online edhe pse përmban fyerje skandaloze të tipit pervers. Në një show humori, tre të fortë bëjnë pazar për tri femra si të jenë tre objekte dhe publiku gajaset. Gazeta që thotë se është më e vizituara online ka rregullisht në faqen e parë një kolanë fotosh me femra gjysmë të zhveshura  dhe më lart burra që flasin për politikë, president, korrupsion etj., etj.

Rasti më flagrant ku duket kjo pabarazi në trajtimin e grave si subjekt mediatik janë panelet e bisedave  televizive.  Jo më larg se një javë më parë në një talk show të rëndësishëm ishin mbledhur 6 burra dhe diskutonin për taksat, a thua u shua vendi për ekonomiste, dhe në një ekran tjetër, 5 gra diskutonin …për gratë, natyrisht. Aq e theksuar është kjo prirje sa një mikesha ime duke parë programet atë natë më tha: erdhi prapë 8 Marsi?

Mund të vazhdojmë sa të duam me shembuj të tjerë, por e përbashkëta mbetet kjo: media jonë është shumë burrërore, edhe pse atë e bëjnë në shumicën e rasteve femrat. Ose për ta thënë me një term më të saktë nga docentja italiane, Milly Bonnano, media  është “mashkullcentrike”, që do të thotë se ka një shpërndarje asimetrike të pranisë së figurave femërore dhe mashkullore në media ku mbizotërojnë hapur meshkujt. Ndoshta kjo vjen ngaqë median në shumicë e drejtojnë meshkujt, por edhe sepse nuk ka një vetëdije ndër punonjësit e medias, e sidomos gazetarët, se është e rëndësishme që të respektohet barazia gjinore.

Duke u përqendruar vetëm te meshkujt dhe këndvështrimi i tyre për botën, media lë jashtë gjysmën e popullsisë dhe përforcon stereotipat, sipas të cilave, gratë nuk mund të merren me punë serioze e të rëndësishme, por vetëm me ato që ia ka caktuar shoqëria primitive këtu e mijëra vjet me parë. Shumë studime psikologjike thonë se t’i nuk mund të jesh ai/ ajo që nuk sheh. Nëse gratë sot nuk shohin gra të tjera në media që kanë ecur përpara, që janë profesioniste të zonjat, që aktivizohen në jetën publike, sociale e politike, ato do të struken më tej në botën e tyre të vogël të shtëpisë. Por po kaq kjo është e rëndësishme për burrat, të cilët duhet të shohin se gratë dinë të bëjnë punë të tjera, përveç atyre të shtëpisë dhe rritjes së fëmijëve. Ndaj është e domosdoshme që në panelet ku flitet për gjithçka, të ketë po aq gra sa edhe burra. Nuk ka pse burrat të kenë ekskluzivitetin e ekraneve kur flitet për ekonominë, integrimin, shtypin, ish të persekutuarit, shëndetësinë, arsimin, politikën, presidentin. Duhet hapur më shumë këndi i shikimeve që të përfshijnë edhe ato të grave.

Perspektiva mashkullore në media nuk është vetëm një problem shqiptar. Në Itali, dokumentari “Trupi i grave” që trajtonte keqpërdorimin e imazhit femëror në media është kthyer sot në një lëvizje që gjithnjë e më shumë po mbledh rreth vetes njerëz e akademikë që luftojnë pikërisht këtë dukuri. Dje janë paraqitur rezultatet e para të një studimi të nisur nga universiteti “La Sapienza” i Romës që merr përsipër të monitorojë barazinë gjinore në media në 4 kategori: lajme, zbavitje, filma dhe reklama. Nga ana tjetër, një gazetë e madhe tabloide gjermane vendosi të mos kishte më femra nudo në kopertinë. Për fat të keq, të gjitha këto kalojnë pa u ndier për botën mediatike shqiptare që vazhdon të operojë me të njëjtin sistem e të flasë cektësisht për barazinë gjinore.

Media mund të bëjë shumë në arritjen e barazisë gjinore dhe mund ta fillojë nga një trajtim i kujdesshëm i lajmeve me në qendër gratë duke iu afruar problemit dhe jo grave. Të japë këndvështrimin e të gjitha palëve, t’i kushtojë më shumë kohë investigimit, të përpiqet t’u futet në lëkurë personazheve që po tregojnë historitë e tyre. Ngjarje si përdhunimet, ngacmimet seksuale, braktisjet e fëmijëve, shfrytëzimi, prostitucioni, vrasjet, duan kujdes në paraqitjen e tyre publikut. Me shpejtësinë që imponon lajmi, rrezikojmë ta dehumanizojmë median dhe njerëzit t’i trajtojmë si objekte lajmorë. Është një nga rreziqet më të mëdha të gazetarisë së sotme, por ka kura për ta ndrequr. E para fillon nga vetëdijësimi se po shkruan për njerëz, jo për copa mishi, as për numra rendorë që të shërbejnë për një histori. Po shkruan për njerëz që kanë një histori mbi supe. Vazhdohet pastaj me respektimin e etikës elementare që nuk fyen, nuk shan, nuk tallet, nuk paragjykon, nuk përbuz. E mbyllet me një bindje se pa femrën nuk ka shoqëri të zhvilluar, ndaj të gjithë duhet të kontribuojmë që ajo të gjendet aty ku duhet. Nuk është puna të “zhburrërojmë” median (siç kishte interpretuar gabimisht një portal propozimin e Avokatit të Popullit për ndryshimin e tekstit të flamurit, në vend që të thoshte ç’mashkullorizojmë, pasi zhburrërim në shqip ka kuptimin “ta turpërosh”), por ta bëjmë atë një vend ku të gjithë qytetarët, burra e gra, të kenë vendin e vet.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel