Kreditë e këqija rriten frikshëm

06/05/2012 00:00

Ndonëse me ritëm më të ulët, kreditë e këqija kanë vazhduar të rriten edhe në tremujorin e parë të vitit, duke kapërcyer për herë të parë nivelin 20% të totalit.

Të dhënat më të fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kreditë me probleme në fund të marsit arritën në 20.07% nga 18.94% që ishin në dhjetorin e vitit të kaluar.

E përkthyer në vlerë, shifra e kredive me probleme ka arritur në mbi 110 miliardë lekë. Bankat kanë vazhduar të marrin masat për të shmangur pasojat negative duke rritur kapitalin, por edhe provigjonet, fonde rezervë që shërbejnë si garanci për të mbuluar kreditë e pashlyera.

Në fund të tremujorit të parë, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit u rrit në 15.9% nga 15.5 që ishte në dhjetorin e vitit të kaluar, ndërsa provigjonet arritën në 11.4%. Bankat shqiptare rezultojnë të mirëkapitalizuar dhe pavarësisht rritjes së kredive me probleme mbeten fitimprurëse.

Vitin e kaluar fitimi total i sektorit ishte mbi 7 milionë dollarë, ndërsa analizat e stresit tregojnë se edhe sikur kredia e keqe të rritet me 50% nga niveli aktual vetëm dy nga 16 bankat e sistemit kanë nevojë për kapital shtesë. Por ndonëse nuk përbën shqetësim për qëndrueshmërinë e sistemit bankar, rritja e kredive të këqija është një tregues që reflekton gjendjen e vështirë të ekonomisë.

Vetëm shifra zyrtare e borxhit të keq ka mbërritur tashmë në mbi 8.5% e prodhimit kombëtar. Dhe nëse kredive me probleme në banka i shtohen edhe detyrimet e pashlyera jashtë sistemit bankar, ato që bizneset i kanë njëri-tjetrit apo qeveria u ka bizneseve borxhi i keq në ekonomi mund të jetë edhe më i lartë.  
 

Top Channel