Shembuj të munguar

04/05/2012 00:00

Artan Lame – Para disa vjetësh, paraardhësi i Arvizusë u ngrit e vajti në Gërdec dhe u
premtoi drejtësi nënave shamizeza që e zunë nga duart dhe e shikonin në
sy si Perëndinë.

Nuk ishte pak. Po u premtonte përfaqësonjësi i shtetit që ka fituar dy luftëra botërore në emër të një bote më të drejtë, vetë ambasadori i shtetit që mundi kajser Vilhelmin në Luftën e Parë dhe Hitlerin e Hirohiton në të dytën. Ato nënat e Gërdecit, këto nuk i dinë, por i ndiejnë, se shpirti ua di ç’kanë humbur. Kaloi kohë, gjyqi i Gërdecit u varros dhe asnjeri nuk u dënua. Ambasadori u ndërrua, por kjo s’do të thotë gjë, se ai që ishte nuk bëri be për kokën e vet kur shkoi në Gërdec, por në emër të Amerikës. E hëngri Amerika turpin me bukë dhe na la të gjithëve gojëhapur, kur pamë se jo vetëm që s’u dënua njeri, por tani po priten bash në Amerikë edhe si heronj ata që e bënë Gërdecin.

Iku ai i pari, erdhi ky që është tani dhe bëri be prapë në emër të vendit që fitoi Luftën e Ftohtë dhe shembi Murin e Berlinit, se deri në Amerikë do i çonte për t’i bërë ekspertizat për filmimet e kusarive. I bëri ekspertizat, por këtu në vendin e kusarëve edhe ekspertizat e Amerikës i hodhën poshtë si të pavlefshme dhe i thanë se nuk janë të sakta. Ambasadori bëri sikur s’kish ndodhur gjë, vërtet m’i hodhën poshtë, por u respektuan procedurat e hedhjes poshtë, ama! Pastaj çoi prapë në Amerikë për ekspertizë filmimet e 21 janarit, dhe, me ç’duken edhe këto do ja hedhin poshtë. Zoti ambasador, po bëhet e disata herë që po dilni blof! Po ua quajnë nul edhe ekspertizat e FBI-së tani. Njëfarësoj po të thonë edhe ty fshi me nder b… me to, siç i thanë në kohë të paraardhësit tënd, ta fshinte me “New York Times”-in.

Ne, të egjrit e këtij vendi të egër, që kemi frikë vetëm nga i forti, do e kishim për fat të madh që të mos kish ndodhur kështu, por të kishim parë që, bëmë sa bëmë kodoshllëqe mes nesh, por sa hyri në mes Amerika i dha secilit të vetën dhe shkuan gjërat në vend. Ata që duhej të shkonin pas hekurave shkuan pas hekurave, ata që duhej të shpërbleheshin u shpërblyen, se helbete Amerika çoi në gjyq edhe Herman Geringun, e jo më ca honxho-bonxho mizerabël si këta hajdutërit tanë të veckël.

Po ja që nuk ndodhi kështu dhe ne, të egjrit e këtij vendi të egër, në vend që të marrim shembull nga më të mëdhenjtë e më të qytetëruarit, mbetemi gojëhapur që edhe ata kur vijnë këtu u bëkan si ne, i shtrohen të keqes e shohin vetëm hallin e tyre. Dhe justifikojmë veten se kështu paska qenë e shkruar për këtë popull, se s’bëhet ky vend, se këtu edhe i miri kur ardhka u bëka i lig.

ITALIANI

Unë banoj ngjitur me murin e pasmë të rezidencës së ambasadorit italian, të asaj që dikur ka qenë Muzeu Lenin-Stalin. Prapa godinës ishte një kopsht relativisht i madh, në të cilin ishte zakoni që të jepeshin pritje në rast festash. Ka nja dy javë që sëmundja e mbulimit të barit me beton e ka zënë edhe këtë ambasadë. Pjesa më e madhe e kopshtit po mbulohet me një dysheme betoni, e cila pastaj anash po mbyllet me mure, e në fund, do të mbulohet edhe përsipër me çati, duke krijuar kështu një ambient të mbyllur që kushedi për ç’funksion u duhet në ambasadë.

Punë e tyre kjo, por punë imja ca të tjera. Që kur kanë nisur këto punime, deri në orët e pasdites në ambasadë punohet e bëhet një zhurmë që tund gjithë lagjen, thyhet beton, sharrohen pllaka, tulla e profile metalike me një zhurmë ferri. Në vendin e këtij ambasadori, të tilla punë lejohen vetëm në orët e paradites, se përndryshe ha gjobë që të luan mendja. Për fundjava as që bëhet fjalë të punohet, pastaj.

Nuk e di nëse kanë marrë leje në bashki për punimet dhe ndërtimet që po kryejnë dhe uroj që të kenë marrë. Por ajo godinë është edhe në listën e objekteve të shpallura “Monument Kulture” me një vendim qeverie dhe çdo punim në të duhet të kalojë nga Instituti i Monumenteve. Dhe për këtë vë bast që s’bëhet fjalë të kenë marrë leje. Kushdo që ka qenë në Itali, e di shumë mirë se ç’domethënë të nxjerrësh një leje nga “Soprintendenza dei Beni Culturali” atje.

Pastaj, para ca ditësh, një lumë balte e llumi të zi (kushedi ç’tubacione a kanale pastronin) vërshoi nga porta anësore e ambasadës dhe mbyti gjithë Rrugën e Elbasanit. Në Itali, për të tilla gjëra duhet të marrësh një autobot të posaçëm, i cili nuk duhet të derdhë jashtë vendit të punës as edhe një pikë të vetme, se gjen belanë me gjoba.

Këto që po kërkoj nuk janë një lloj racizmi, demek që neve mund të hedhim beton në lulishte sa të duam, të bëjmë zhurmë me matrapik e sharra, të ndërtojmë pa leje e të prishim monumentet, të mbytim rrugët me mbeturina, ndërsa italianit nuk i lejohet, se neve jemi në vendin tonë e jemi njerëz të egër e injorantë, e bëjmë ç’të duam ndërsa ai është i ardhur. Jo, duhet të jetë bash e kundërta. Pikërisht sepse ne jemi njerëz të egër e të paqytetëruar, ai italiani që vjen nga vendi me civilizimin më të rafinuar të Europës, duhet që këtu të mos i dorëzohet barbarisë e injorancës. Pikërisht këtu në vendin e plehrave, ai duhet të trajtojë me kujdes çdo gjë që del nga dera e vet. Pikërisht këtu në vendin e ilegalitetit, ai duhet të kërkojë leje e faturë për çdo gjë, pra të sillet si zotni. Do ta qeshim në fillim, do ta quajmë budalla apo naiv, por pastaj thellë-thellë do të na vijë turp nga vetja dhe bën vaki edhe të ndryshojmë, të zbutemi e qytetërohemi edhe ne.

Po ja që nuk ndodhi kështu dhe ne të egrit e këtij vendi të egër, në vend që të marrim shembull nga më të mëdhenjtë e më të qytetëruarit, mbetemi gojëhapur që edhe ata kur vijnë këtu u prishkan dhe u bëkan si ne. Dhe justifikojmë veten se kështu paska qenë e shkruar për këtë popull, se s’bëhet ky vend, se këtu edhe i miri kur ardhka u bëka i lig.

Gazeta “Shqip”

Top Channel