Qendra sociale, AI: “Shkarkoni drejtoreshën”

04/05/2012 20:00

Pas denoncimit në “Fiks Fare” të dhunimit të grave që strehoheshin në një qendër pritëse të trajtimit të viktimave të dhunës në Tiranë, ka reaguar edhe organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty Intenational, që ka kërkuar shkarkimin e drejtoreshës së kësaj qendre.

“Rekomandojmë shkarkimin e drejtoreshës së qendrës dhe marrjen e masave për mbrojtjen e viktimave. Qendra është krijuar me fonde kombëtare dhe abuzimet e zbuluara nxjerrin në pah nevojën për monitorimin e qendrave publike”, ka reaguar AI.

Amnesty International i referohet një rekomandimi të mëparshëm të Avokatit të Popullit, i cili kreu inspektime në qendrën pritëse menjëherë pas denoncimit të “Fiks Fare”.

Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të ndërmarrë masa të menjëhershme për të siguruar mbrojtjen e viktimave të dhunës.

Top Channel