Gazsjellësi, Italia përkrah Shqipërisë

03/05/2012 00:00

Politika energjetike e Italisë ka marrë një kthesë të fortë, kur Roma
zyrtare deklaroi se është e interesuar të përfshihet në gazsjellësin
transadriatik, i cili do të transportojë gazin e Kaspikut në Europë
përmes tokës shqiptare.

Kompania më e madhe energjetike në Itali, shtetërorja Enel, deklaroi një ditë më parë se është e interesuar të të jetë pjesë e projektit që përfshin Shqipërinë në rrjetin ndërkombëtar të gazit.

“Enel është e interesuar në të gjithë projektet që sjellin gaz në Itali”, deklaroi Fulvio Konti drejtori ekzekutiv i gjigantit italian të energjisë.

Kjo është hera e parë kur Roma deklaron zyrtarisht interes për t’ju bashkuar gazsjellësit, që kalon përmes shqipërisë Deri tani, qeveria italiane ka mbështetur fort, projektin rival, atë të gazsjellësit Itali-Turqi-Greqi. Por projekti italo-grek doli nga gara dy muaj më parë, kur aksionerët që zotërojnë fushën e Shah Denizit deklaruan se nëse do të zgjedhin Italinë si destinacionin fundor të gazit, rruga e tyre e preferuar është ajo e gazsjellësit transadriatik.

Eliminimi i gazjellësit italo-grek e linte Italinë jashtë korridoreve të reja të gazit, dhe kjo për Romën do të ishte një humbje jo e vogël. Javën e kaluar ministri italian i energjetikës Korado Pasera tha se është shumë e rëndësishme që një kompani italiane të jetë e përfshirë në cilindo nga projektet që do të fitojë garën për të transportuar gazin e kaspikut në Europë. Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se qeveria italiane i ka kërkuar Enel që të shikojë mundësinë për të blerë të paktën 15 për qind të aksioneve në projektin transadriatik.

Aktualisht janë tre projekte që po konkurrojnë për të sjellë gazin e Azerbajxhanit në Europë. Vec gazjellësit që mbështet Shqipëria janë dhe dy projekte të tjera, ai i ‘Nabucos’ dhe gazjellësi ‘South Stream’, që mbështetet nga gjigandi energjetik rus ‘Gazprom’.

Por të dy këto projekte kalojnë nga Turqia direkt në Europën Qendrore duke anashkaluar Italinë dhe Greqinë. Në këto kushte Rma dhe Athina duket se nuk kanë rrugë tjetër përvecse të mbështesin projektin që mbështet fort edhe Tirana. Analistët thonë se përfshirja e Italisë në projektin transadriatik është një lajm i mirë, pasi do të rriste shanset që ky projekt të shpallet fitues. Deri tani mungesa e mbështetjes italiane është konsideruar si një nga pikat më të dobëta të variantit që kalon përmes Shqipërisë. Gazjellësi Trans Adriatik është një projekt i tre aksionerëve gjigand në fushën energjetike, zvicerianes “Egl’, gjermanes ‘Rurgas’ dhe kompanisë norvegjeze ‘Shtatoil’.

Top Channel