Drit’hijet e presidentit të ri

03/05/2012 00:00

Sokol Hazizaj – Ç’ka se formalisht dhe juridikisht për shkak të sistemit
ligjor dhe konstitucional mbi të cilën është ngritur piramida
shtetërore në vendin tonë, zgjedhja e Presidentit të Republikës një herë
në pesë vjet politikisht merr pamjen e debatit, kundërshtive dhe
përplasjeve të ashpra politike, veçanërisht mbi emrin e tij dhe
përkatësinë politike, saqë shpesh duket në pamje të parë se brenda saj
ka shumë gjëra të pavërteta.

Kjo nuk përjashton mundësinë që politika të gjejë mundësinë për të bërë të kundërtën, pra të jetë e vërtetë. Për shkak të natyrës dhe karakterit natyror sa qytetarë mund të jenë politikëbërësit tanë, te ne ka marrë natyrën e aksiomës morale pohimi se qytetari dhe politikani ynë kanë dëshirë më tepër të ngushëllohen me të gënjeshtrën se sa të lëndohen me të vërtetën. Në tufën e gënjeshtrave të ditëve të sotme është prirja për t’u fshehur pas një të ashtuquajturi “konsensus” presidencial, duke lënë në harresë kushtin konstitucional të pranisë së 84 deputetëve në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Pajtesa apo fshehja pas gishtit të konsensusit, nuk mund dhe nuk ka se si të fshehë konfliktin e madh dhe ndoshta të papajtueshëm, të paktën në dukje midis kampeve të politikës. Ajo që të bie në sy është fakti se thelbi i këtij konflikti vetëm programor nuk është. Edhe nëse për momentin pranojmë se u realizua kuorumi i duhur i parlamentarëve për të ashtuquajturin “presidentin konsensual”, duke u zgjedhur Ai, nuk mendoj se do të ndryshojë ndonjë gjë në këtë vend. Ai, konsensuali, kushdo qoftë, do të jetë po i njëjti si edhe ky i fundit, që do të thotë se do të jetë i mirë për njërën pjesë, sepse nuk do të shkojë me kryeministrin e radhës, kushdo qoftë ai, çka normalisht duhet të ndodhë e kundërta. Përvoja e këtyre viteve e ka treguar më së miri këtë që pohova. Sa për kujtesë përmend konfliktin Berisha si president dhe Meksi kryeministër, Meidani me Nanon, Moisiu me Nanon, dhe së fundmi, Topi me Berishën. E vetmja gjë e përbashkët e të gjitha konflikteve të derisotme nuk ka sjellë si rezultat asnjëherë që njëri prej të dyve të japë dorëheqjen për shkak të vizionit ndryshe të tyre apo për arsye të mospajtimit ligjor të palëve. Pyetja së cilës i duhet dhënë përgjigje lidhet me atë se çfarë u ka munguar palëve në betejën e tyre? Përgjigjja është e gjerë dhe shumëdimensionale, por zgjidhja është e thjeshtë, vetëm duke e lidhur me elementet kryesore se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të ketë një president i vërtetë konsensual, me qëllimin që një ditë ai dhe ata që vijnë më pas të lëndohen sado pak nga e vërteta, duke mos na ngushëlluar me gënjeshtra. Arsye kjo që të bën të kërkosh që zgjedhja dhe presidenti i ardhshëm të konsiderohet si thirrje për lidership. Dhe për të qenë i tillë nuk mjafton që nga njëra anë si zgjedhja dhe Ai t’i binden Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, si zgjedhja dhe Ai të respektojë të drejtat dhe liritë e shtetasve, si zgjedhja dhe Ai të mbrojnë pavarësinë e Republikës së Shqipërisë, si zgjedhja dhe Ai t’i shërbejë interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar. Një zgjedhje e tillë realisht do t’i bëjë qytetarët shqiptarë të luten për presidentin e ri, se ai do të marrë detyrën më të përgjegjshme dhe me të tmerrshme që ka pasur ndonjë njeri më parë, sepse në fund të fundit kështu e konsideron Kushtetuta e vendit tonë. A s’është bërë sot e vështirë roli i lidershipit të pavarësisë së drejtësisë kur botërisht dihet se drejtuesit e deritanishëm të saj paskan menduar gjatë gjithë kohës krijimin e një partie politike të re në disharmoninë e krijuar politike të vendit tonë. Ish-presidenti amerikan Truman pohonte se “Kam zbuluar se të jesh President është njësoj si të kesh hipur në një tigër, ku njeriu mbahet fort për të qenë hipur, ose gëlltitet prej tigrit.” Ky pohim sa i thjeshtë, ka lidhje të drejtpërdrejtë jo vetëm me atë që pritet të zgjidhet, por thelbësisht lidhet me mënyrën se si do të vijë presidenti i ardhshëm. Nëse do të pranonim që ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2008 ishin, siç deklarohen ndonjëherë, si shumë të rëndësishme sa i përket zgjidhjes së konfliktit për zgjedhjen e presidentit dhe ndalimin e futjes së vendit në krizë institucionale, rideklaroj për të disatën herë se ato ndryshime mesjetare dhe meskine nuk kanë bërë asgjë dhe vetëm asgjë në lidhje me mënyrën konsensuale të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, përveçse kanë prurë si fenomen të ri impenjimin e faktorëve politikë për të formatuar disa kritere të reja për të qenë president. Pra, thënë troç, zgjedhja e njeriut për president këtë vit do të kalojë mbi dy dimensione, ku njëri pohon domosdoshmërinë e prurjes nga politika, ndërsa dimensioni tjetër haptazi pohon kërkesën e pohimit të ndërkombëtarëve për miratimin e kandidaturës për president. Nuk është e rastësishme që këta të dytët kanë rifreskuar në memorien tonë se zgjedhja e presidentit nuk ka gjë të përbashkët me zgjedhjen e një ministri. Pra, siç shihet, zgjedhja e Atij (presidentit) do të ketë të njëjtën fat, ashtu si në hije dhe errësirë u formatuan dhe miratuan ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Është e vërtetë që njeriu sheh nga errësira kur pret të dalë drita, por ky lloj procesi i veshur me dorashka padyshim do të ketë si pasojë një lloj presidenti, i cili nuk do të mund të ndajë midis të drejtës dhe pushtetit personal, nuk do të mund që armën kushtetuese ta përdorë për paqen politike dhe për të ardhmen e shtetasve të tij.

Për shkak të detyrave kushtetuese që figura e presidentit mbart, të cilat janë sa të mëdha dhe të vogla, që ligjërisht fillojnë me mesazhe ndaj Parlamentit, falja sipas ligjit jep shtetësinë shqiptare, lejon lënien e saj, jep dekorata e tituj nderi, si dhe detyra të tjera të lidhura me politikën e jashtme dhe institucionale gjithashtu, kuptohet qartë se bartës i një aftësie të tillë nuk mund dhe nuk ka se si të jetë një person jashtë politikës, por po kaq rëndësi merr mënyra se si ai i afrohet politikës dhe si zgjidhet. Mund të ndodhë që të vijë si pasojë e një konsensusi pa kriterin kushtetues, pra ligjërisht i çeduar, dhe padyshim presidenti i ardhshëm do të jetë i dyzuar në veprimtarinë e tij, duke qenë i drejtë në gjëra të vogla dhe i gabuar në ato të voglat, duke u shfaqur në publik i paekuilibruar, sepse konsensusi i arritur për zgjedhjen e tij e ka humbur aftësinë për ekuilibër, pavarësisht se shfaqet si lider në të drejtën e tij. Raste të humbjes së ekuilibrit në vitet që kemi kaluar ka pasur me shumicë, duke mos harruar indiferencën ndaj paktit detar apo dhe ngjarjeve të fundit.

Për shkakun që pohova më sipër, ne ndodhemi dhe përballë një rreziku të zgjedhjes së një presidenti të zakonshëm si deri tani, ku shfaqen kandidatura të pabalancuara politikisht, ose ndryshe jo përfaqësuese. Mund të ndodhë sërish që pas pesë viteve i zgjedhuri të pohojë që më zgjodhën për të më hequr qafe. Që do të thotë edhe për pesë vite e drejta e shtetasve shqiptarë të jetë dhe konsiderohet e ligjshme, por si hakmarrje ndaj atyre që “fatkeqësisht” e zgjodhën. Kjo do të thotë që figura e Presidentit të Republikës te ne nuk shihet si një udhëtim për të zbuluar dhe ndihmuar njerëzit, por si një shtegtim për të përfituar diçka në kurriz të tyre. Rrugët ndahen gjithashtu, por gjithsesi ato varen nga nisja, pra nga mënyra se si do të zgjidhet, nga mënyra se si dhe nga kush do të kandidohet. Ne duhet të mësohemi dhe ta pranojmë të vërtetën, sado e hidhur dhe sado të lëndon ajo. Nuk mund dhe nuk ka se si të zgjidhet një president nga përfaqësime të vogla politike, jashtë politikës, pa shërbimin e saj dhe pa qenë edhe protagonist i saj.

Nuk mund dhe nuk ka se si që çdo mënyrë përzgjedhjeje të përjashtojë disa kritere të njohura tashmë ndërkombëtarisht për të marrë detyrën e përfaqësuesit, të cilat në vija të përgjithshme përmbledhin kërkesën e personit për të promovuar të mirën dhe kërkesën për të qenë i mirë moralisht. Të dyja këto kërkesa po t’i ballafaqosh me mënyrën jo transparente dhe jo të qartë se si po përvijohet mënyra e zgjedhjes së presidentit, lë për të dëshiruar. Duke zbritur në realitetin e sotëm konstatohet lehtë se ndodhemi përpara një kandidature të shpallur publikisht, me iniciativë personale, duke kërkuar të marrë përkrahje konsensuale, por pa minimumin e firmave të domosdoshme për kandidat, dhe nga ana tjetër, disa të tjerë, të cilët ndryshe nga i pari ndonëse nuk kanë ambicien për të qenë konsensualë, por kam mendimin se i kanë firmat për të qenë të pranishëm në procesin e votimit në Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu, çka se zgjedhja mund të jetë kushtetuese, se s’ka se si të jetë ndryshe, presidenti i ardhshëm vështirë se do të jetë njëdimensional, brenda kufijve të së drejtës dhe detyrës së tij ligjore. Ai do të jetë tredimensional, midis Berishës, Metës dhe Ramës, sepse kjo nuk do shumë mend të identifikohet, kur vetë pranohet prej tyre. Kuptohet që dhe veprimtaria e tij në të ardhmen do të jetë e dyzuar midis ligjit dhe liderit propozues, midis detyrës dhe mbështetësit, jo mbështetësve, sepse nuk janë shumë, janë vetëm tre, ndërsa të tjerët janë mbushësa topi. Më pas, për të zgjedhurin nuk do të ketë rëndësi asnjë nga kriteret morale për të qenë përfaqësues i të gjithëve, duke u shfaqur si edhe deri tani abuzues me forcën e detyrës, i privilegjuar tejskajshmërisht, keqpërdorues i informacionit, i paqëndrueshëm, i pabesueshëm dhe për më tepër i papërgjegjshëm. Po më pas?! E çfarë rëndësie ka për Atë, presidentin e ardhshëm?!, përgjigjja vjen po nga të njëjtët protagonistë, “thjesht kaluan pesë vite”. Ndërsa Ne, qytetarët e këtij vendi, do të vazhdojmë të endemi në kufirin midis moralit dhe Kushtetutës, me shpresën se një ditë gënjeshtra nuk do të mjaftojë për t’u ngushëlluar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel