Liria në Shqipëri në rënie të lirë

02/05/2012 00:00

Andrea Stefani – Shqipëria nuk po ecën drejt lirisë, por drejt skllavërisë! Shqipëria nuk
po ecën drejt Europës! Shqipëria nuk po ecën në drejtimin e duhur
sikundër deklaroi para pak ditësh republikani John Boehner, kryetari i
Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA.

Shqipëria nuk po ecën ashtu siç vazhdojnë të pretendojnë prej vitesh të tjerë konservatorë europianë të tipit Vilfred Martens, që janë vënë në mbështetje krejt të pandershme ndaj qeverisë “Berisha”. Larg spekulimeve politike apo mediatike e vërteta denoncohet nga një raport i “Freedom House” (FH) për gjendjen e lirisë në botë në vitin 2012. Dhe është ky dokument që tregon se Shqipëria, jo vetëm vazhdon t’i përkasë vendeve të kategorizuara si “pjesërisht të lira”, por edhe tendencën e ka drejt rënies. Dhe grupi që vjen më poshtë është ai i shteteve pa liri. Prandaj themi se nën qeverisjen e autokratit Berisha, Shqipëria po ecën jo drejt Europës, por drejt skllavërisë.

***

Në raportin e FH, vend “pjesërisht i lirë” është ai ku ka respekt të kufizuar për liritë politike dhe civile. Po sipas përkufizimit të FH, shtete të tilla vuajnë nga mjedisi i korruptuar, sundim i dobët i ligjit, konflikte etnike dhe fetare dhe peizazhi politik në të cilin dominon një parti e vetme, pavarësisht njëfarë shkalle të pluralizmit. Shqipëria e përmbush këtë listë të metash, përjashtuar konfliktet etnike apo fetare ku politika konfliktuale e këtyre 20 vjetëve nuk ka guxuar ende të shtrijë kthetrat. Krejt në kundërshtim me propagandën qeveritare që akuzon opozitën si fajtore për ngecjen e integrimit në raportin e FH, degradimi i situatës së lirisë në Shqipëri i dedikohet kryesisht “vrasjes së protestuesve opozitarë në janar, politizimit të mekanizmit zgjedhor në zgjedhjet lokale të majit dhe dështimit të gjykatave për të gjykuar në mënyrë të paanshme një çështje korrupsioni kundër një politikani të lartë të qeverisë”. Kuptohet fare lehtë se fjala është për masakrën e 21 janarit, për grabitjen e votave në Tiranë, si dhe për gjyqin e Ilir Metës. Ndërkaq duhet të shtojmë se këtyre zhvillimeve negative të regjistruara gjatë vitit 2011 i janë shtuar të tjera zhvillime negative përgjatë vitit në vazhdim. Qeveria “Berisha” ka vazhduar me ngulm aksionin për kapjen e pushtetit gjyqësor. Akti më i fundit ishte ai i dhunimit të procedurave parlamentare për një anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, votim për të cilin edhe Aleksandër Arvizu, ambasadori amerikan në Tiranë, u shpreh se nuk ishte aq i mirë sa ai për Avokatin e Popullit. Ka shenja të forta se aksioni autokratik për kapjen e drejtësisë dhe krejt shtetit nga pushteti berishist, do të përshkallëzohet edhe me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, post kyç ku Berisha lakmon prej dekadash të caktojë një delfin të tijin. Nëse vërtet ndodh kështu, nëse ndërkombëtarët tolerojnë të ndodhë kështu, duke futur kokën si struci në gëmushën e një neni të Kushtetutës që i lejon Berishës të zgjedhë presidentin vetëm me 71 votat e shumicës, atëherë vitin tjetër nuk është çudi që ta shohim Shqipërinë në grupin e vendeve pa liri. Pra, po shkojmë drejt Europës sikundër mashtron qeveria dhe disa miq të saj të dyshimtë apo po qorrollisemi praptazi drejt diktaturës sikundër alarmon opozita? Shqiptarët duhet të zgjedhin, por nuk duhet të harrojnë, pavarësisht simpative politike, se thirrja e tyre 20 vjet më parë ishte thirrja për liri. Është koha që devocioni ndaj lirisë të kapërcejë simpatitë. Natyrisht thirrja ka vlerë vetëm për ata shqiptarë që nuk janë katandisur në skllevër të pushtetit berishist dhe që zinxhiri i nevojave dhe lakmive të ushqyera nga pushteti, i mban të lidhur pas pushtetit. Këta njerëz nuk janë të lirë të bëhen të lirë. Mjerisht ata nuk janë të lirë as të reflektojnë edhe mbi fakte dhe të vërteta të hidhura, si këto të raportit të FH që demaskojnë punën e mbrapshtë dhe antiliri të qeverisë që ata votojnë dhe mbrojnë.

***

Është interesant të vëresh se në grupin e shteteve ku kredencialet demokratike janë vënë në dyshim figurojnë edhe Hungaria dhe Turqia, dy vende ku Kryeministri Berisha sapo ka përfunduar vizitat i pritur me shumë ngrohtësi pikërisht nga homologët e tij që drejtojnë këto vende dhe që janë përgjegjës për këtë degradim të demokracisë në to. Berisha u shpreh për një diplomaci prioritare ndaj një Turqie ku demokracia po degradon, jo duke u nisur nga vlerat e lirisë, por thjesht nga fakti që turqit paskan gjak shqiptari në venat e tyre! Gjaku i përbashkët mbi lirinë? Po edhe me Enverin gjak të përbashkët kishim, mos vallë do të thotë kjo se duhet të rrinim me të? Absurditeti i diplomacisë berishiste të gjakut dhe jo të lirisë, e nxori më mirë kokën gjatë vizitës në Hungari, ku Berisha deklaroi se po e përgatit Shqipërinë për rrethanat “e një bote post-perëndimore” me fjalë të tjera, të një bote pa liri. Në fakt, sikundër edhe tregon raporti i FH, ky është pikërisht drejtimi që Berisha i ka dhënë, veçanërisht këto vitet e fundit, Shqipërisë. Nuk është një rastësi që ndihej pranë Kryeministrit hungarez, Viktor Orban si pranë një aleati. Ky i fundit bëhet përgjegjës për degradimin e lirisë në Hungari, sepse duke përfituar nga një shumicë parlamentare në Parlament (për pak desh shkrova Kuvend) ka miratuar një Kushtetutë të re dhe disa ligje që mund të dëmtojnë seriozisht lirinë e medias, pavarësinë e gjyqësorit dhe zgjedhjet e lira e të ndershme. Mëkate ndaj demokracisë dhe lirisë në kryerjen e të cilave Orban shfaqet, megjithatë, shumë më prapa në kohë se miku i tij nga Shqipëria.

Gazeta “Shqip”

Top Channel