Mbrojtja e Parkut të Dajtit

30/04/2012 20:00

Me fillimin e rritjeve të temperaturave dhe afrimin e stinës së nxehtë, drejtues të Parkut Kombëtar të Dajtit i kërkojnë ndihmë banorëve dhe drejtuesve vendorë që përfshin kjo zonë, që të kontribuojnë në mbrojtjen e kësaj zone.

Falë këtij bashkëpunimi, tha drejtori i Parkut Kombëtar, Lutfi Myftari, nuk ka pasur dëme të konsiderueshme një vit më parë.

“Në rastin e shfaqjes së zjarreve po vërehet një dukuri e pahasur më parë. Ka pasur një traditë të mirë, me çobanët që kujdeseshin, por që ka ndryshuar. Aktualisht ne jemi 30 punonjës dhe sa të marrim ne vesh lajmin për zjarr, ju jeni të parët që do të vini”, deklaroi Myftari.

Parku Kombëtar i Dajtit zë një sipërfaqe prej 30 mijë hektarë, e pasur me lloje të ndryshme drurësh dhe shkurresh. Por edhe pse një pasuri kombëtare, parku nuk u ka shpëtuar zjarreve të qëllimshme në verë nga çobanët, apo prerjeve ilgeale të drurëve për tregti.

Drejtues të komunave që përfshihen në zonën e Parkut Kombëtar, si dhe kryepleqtë e fshatrave përreth, i kërkojnë autoriteteve shtetërore që të marrin masa për rikonstrukionin e rrugës që të çon në Dajt, pasi në rast zjarri apo aksidentesh të ndryshme, zjarrfikëset dhe autoambulancat arrijnë me vonesë për shkak të rrugës.

Në takimin e zhvilluar posaçërisht për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Dajtit, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, u kërkua të kontribuohet në zhvillimin e kullotave, mbjelljen e llojeve të drurëve, si arra, gështenja, ahu, pisha e të tjerë.

Top Channel