Fullani: Duhet rregull fiskal

30/04/2012 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani i kërkoi politikës të
miratojë me konsensus një rregull fiskal për mbajtjen e borxhit nën
kontroll.

“Ju ftoj që së bashku të bëjmë të mundur që dy reforma të mëdha që do t’i hapin hapësira të mëdha ekonomisë shqiptare do të jenë përcaktimi i rregullit fiskal nga Parlamenti dhe ligji për pensionet”, tha Fullani.

Gjatë paraqitjes së raportit vjetor në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, zoti Fullani ngriti dhe një tjetër shqetësim, atë që ka të bëjë me rritjen ekonomike, e cila sipas tij nuk prodhon mirëqënie për të gjithë.

“Unë ju kam ftuar dhe ju ftoj sinqerisht që të mos biem në atë kurthin, grackën e rritjes ekonomike, por të shohim më tej. Unë do të thoja që ne duhet të shohim drejt punësimit dhe ta përdorim rritjen ekonomike, si një instrument për punësim dhe për këtë duhen medoemos lëvizje të qarta, të mirëprogramuara strukturore, në mënyrë që të kemi një rritje strukturore”, tha Fullani.

I pyetur nga deputetët, guvernatori i është përgjigjur edhe shqetësimeve në lidhje me rritjen e kredive të këqija, që sipas tij nuk e cënojnë stabilitetin financiar të Shqipërisë.

“Sistemi bankar shqiptar, nëqoftëse se edhe rritja e kredive do të ndodhë mbi 50 për qind të shumës së sotshme, vetëm dy banka në Shqipëri do të kenë nevojë për kapital shtesë do të zbresin nën 12 për qindëshin”, tha Fullani.

Top Channel