Berisha si Gedafi, blen pushtet në SHBA

30/04/2012 00:00

Andrea Stefani – John Boehner, kryetari i Kongresit të SHBA, habiti të madh e të vogël në
Shqipëri, ndërsa i deklaroi publikisht kryeministrit Berisha: “Keni
bërë një punë të mrekullueshme për ta çuar vendin në rrugën e duhur.
Jemi shumë të kënaqur nga raportet që marrim mbi zhvillimet në
Shqipëri”.

Një deklaratë që përmban një të pavërtetë lehtësisht të faktueshme me vendimet e marra vetëm vitin e fundit nga Bashkimi Europian (BE). Nëse Berisha do kish bërë një punë të “mrekullueshme” dhe nëse do ta kish drejtuar anijen në drejtimin “e duhur”, më e pakta që do kish arritur Shqipëria, do kish qenë marrja e statusit të kandidatit për në BE. Gjë që nuk ka ndodhur, ngase opozita shqiptare është treguar destruktive (sikundër pretendon propaganda berishiste) por ngaqë vetë kryeministri Berisha nuk ka hequr dorë për asnjë sekondë prej gjakimit autokratik për kapjen e shtetit. Madje ai vazhdon përpjekjen edhe për kapjen e shteteve perëndimore dhe në rastin konkret edhe të SHBA, duke përkryer atë dukuri që, kohë më parë, e kemi denoncuar si United States Capture. Pikërisht me këtë të fundit dyshojmë se lidhet edhe deklarata rozë e Boehner në mburrje të autokratit shqiptar.

* * *

Në mbyllje të vitit të mbrapshtë 1997, diplomacia e SHBA mori kritika të forta, edhe në median amerikane, për mbështetjen e verbër që i kish dhënë një autokrati si Berisha, që me ambicien e pakufishme për pushtet të pakufishëm, si dhe me korrupsionin e qeverisë së tij të parë, u bë shkaktari kryesor i kolapsit të shtetit shqiptar. Është gjithashtu fakt se në pikën kulmore të asaj krize, edhe politika zyrtare amerikane kritikoi tendencat autokratike të Berishës. Por me rikthimin e tij në pushtet në vitin 2005, diplomacia amerikane i është kthyer zakonit të vjetër të mburrjes së një autokrati po aq të vjetër. Një kthesë që nuk shpjegohet dot me realitetin politik dhe social që ulërin se Shqipëria nuk po ecën në drejtimin e duhur. Shtrohet pyetja: Nga i gjen Boehner informacionet e kënaqshme për “mrekullinë” Berisha dhe për drejtimin “e duhur”? Ne nuk besojmë se i shkojnë nga ambasada amerikane në Tiranë. Vetë Arvizu, ambasadori amerikan në Tiranë, paralajmëroi, jo larg, por në mes të këtij muaji që po mbyllet, fillimin e një situate të vështirë politike. Deklarimi u bë menjëherë pasi shumica parlamentare votoi tiranikisht dhe në thyerje të hapur të rregullores së Parlamentit, një kandidat të vetin në njërin prej vendeve vakante të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nuk besojmë që informacionet mbi këtë tirani, që po shtrin kthetrat edhe mbi “qeverinë e gjyqësorit”, të kenë shërbyer që kryetari Boehner të flasë mbi drejtimin “e duhur” apo “mrekullinë” shqiptare. Atëherë çfarë? Kohët kanë provuar se jo vetëm klithmat e një opozite që po shtypet por edhe informacionet e ambasadës në Tiranë, jo rrallë janë neglizhuar në Uashington. Disa dokumente të publikuara nga “Wikileaks” faktojnë një mospërputhje mes informacioneve të ambasadës në Tiranë dhe qëndrimeve të disa zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit. Kështu, jo shumë kohë më parë, ndërsa ish-ambasadori Uidhers raportonte për pengimin që autokrati Berisha i bënte hetimit dhe gjykimit të tragjedisë së Gërdecit, ndihmës zëvendës sekretari i Shtetit të SHBA, Tomas Kantrimen, fliste për “demokracinë funksionuese” shqiptare!

* * *

Si mund të shpjegohen këto kundërthënie në vlerësimin amerikan për situatën në Shqipëri? Faktorët mund të jenë të shumtë, por mendojmë se nuk është pa ndikim një dukuri që mund ta cilësojmë si blerje të pushtetit nga autokratë në shtete perëndimore, duke përdorur paratë publike. Jo larg, por dje, në mediat ndërkombëtare u denoncua skandali i marrjes, vite më parë, nga Sarkozi të një financimi prej 50 milionë eurosh prej Gedafit, diktatori i saporrëzuar i Libisë. Duke qenë të ndërgjegjshëm për ndikimin e madh që kanë shtete të fuqishme perëndimore në rrjedhat politike të vendeve që sundojnë apo përpiqen të sundojnë, diktatorët dhe autokratët e kanë bërë të modës të blejnë këtë ndikim për ta përdorur në favor të pushtetit të tyre. Dhe kësaj strategjie i kanë shërbyer nga pagesat e fshehta nën dorë deri te financimi i politikanëve apo kompanive lobuese. Në Shqipëri tashmë është e ditur që Berisha ka përdorur paratë e shqiptarëve për të paguar njerëz si Tom Ridge apo kompani lotimi, si ajo e drejtuar nga John Podesta. Shqiptarët nuk dinë ende nëse këto para të mbledhura prej tyre janë përdorur në interes apo kundër interesit të tyre. Por dihet se vetëm pak orë mbasi Berisha u takua me sekretaren Klinton, në median shqiptare u raportua se një shumë prej rreth 180 mijë dollarësh u transferua nga qeveria shqiptare në favor të kompanisë “Podesta Group”. Dhe janë ndoshta përrallat berishiste “me demokraci” që dëgjon nga lobuesit e kësaj kompanie ato që e bëjnë Boehner ta perceptojë autokratizmin patologjik të Berishës si një mrekulli dhe rrugë e duhur për shqiptarët. Dezinformim që gjithsesi, nuk e çliron Boehner nga faji i një loje të papërgjegjshme me shansin e lirisë dhe demokracisë së gjeneratave të një vendi të varfër të dënuar në shekuj me shtypje e skllavëri. Një diplomaci dhe politikë që nuk është në frymën e politikës së shpallur të SHBA për të mbështetur, kudo në botë, lirinë dhe jo autokratët e lirisë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel