Akademia e Sporteve e bllokuar

30/04/2012 00:00

Komisioni Parlamentar i Arsimit dhe Medias është përfshirë nga debate të
ashpra dhe polemika, pas leximit të auditit që Ministria e Arsimit ka
bërë në Akademinë e Sporteve, i cili aktualisht është tërësisht i
bllokuar.

Deputeti Fidel Ylli ka permendur disa shkelje te rektorit Rizvanolli në Akademinë e Sporteve dhe ka kerkuar qe Ministria e Arsimit të zhbllokojë procesin derisa gjykata të japë vendimin e saj.

“117 mijë lekë neto, që rektori i ka vënë vetes së vet më vendim të firmosur. Dëmi ekonomik që është shkaktuar nga këto shkelje të mbledhura bashkë, shkon në miliona lekë. Zhbllokoni situatën duke bërë zgjedhje, në momentin që fiton të drejtën le të kthehet.Nuk ia heq të drejtën njeri, as e diskriminon kush si pedagog, as i heq titullin, por Ligji e Arsimit e ka të përcaktuar që mandati është 4-vjecar. Derisa është i tillë, unë që do të kandidoj kam strategji tjetër 4-vjecare, nuk ndërpritet në mes. Ai le të vazhdojë si profesor, si mësues që është dhe ta zgjidhë gjykata nëse ka abuzime”, tha Ylli.

Zevendesministrja e Arsimit Nora Malaj tha se ministri nuk ka te drejte te nderhyrje sipas Ligjit te Arsimit te Larte.

“Në fazën që presim vendimin përfundimtar të gjykatës dhe më pas sapo të përfundojë ky proces gjyqësor, i cili nuk lejon palët që të bëjnë zgjidhjen e problemeve, ministri i Arsimit dhe Shkencës me të drejtën e Ligjit të Arsimit të Lartë, më pas do të shpallë datën për zgjedhjen dhe të këtij institucioni të vetëm, që nuk arriti të plotësojë zgjedhjen e tij”, tha Malaj.

“A e dinte Ministria e Arsimit dhe qeveria kur paraqiti dhe miratoi Ligjin për Arsimin e Lartë, që ky ligj dhe konkretisht neni 50, binte në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe me konventat ndërkombëtare? Sepse ca vjet përpara, kur miratuat ligjit, na thatë që nuk bie në kundërshtim dhe s’keni të drejtë”, tha kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj.

Relatori i Partise Demokratike, Kreshnik Çipi tha se ne Akademine e Sporteve nuk ka pasur asnje shkelje, dhe ai nuk e di se ku e ka gjetur deputeti Ylli, kete raport auditi të Ministrisë së Arsimit.

“Unë jam investuar me ditë të tera në Ministri të Arsimit. Kam biseduar qartë me drejtuesin e auditimit të brendshëm, kam thërritur zëvendësministrin dhe në asnjë rast nuk më kanë dhënë dokumentacion, në lidhje me auditimin. Jemi në proces, nuk e di ku i ka gjetur zoti Ylli ato materiale, jemi në proces dhe nuk ekziston asnjë gjë e tillë”, tha Çipi.

Senati i Akademisë së Sporteve nuk ka miratuar asnje buxhet dhe ka deklaruar se do te mblidhet vetem per zgjidhjen e rektorit te Akademise se Sporteve.  

Top Channel