Vritet një shqiptar në Athinë

29/04/2012 00:00

Një shqiptar është ekzekutuar me armë dhe një tjetër është plagosur rëndë, gjatë një episodi të dhunshëm që ka ndodhur paraditën e së dielës në lagjen “Menidhi” në kryeqytetin grek, Athinë.

Sipas informacioneve të para një i ri grek ka qëlluar me breshëri automatike ndaj emigrantit shqiptar Dilaver Gjini, 58 vjec dhe në vazhdim ka përplasur me makinën e tij një tjetër shqiptar që tentoi ta ndalonte, 54 vjecarin Flamur Osmenaj.

Policia thotë se cdo gjë ndodhi në momentin që 28 vjecari grek, në rrethana që ende nuk dihen, humbi kontrollin e automjetit që drejtonte dhe përplasi një grup emigrantësh të cilët po prisnin në anë të rrugës me shpresën e gjetjes së një dite pune.

Pas aksidentit dhe sherrit që pasoi ngjarjen i riu grek u largua me shpejtësi për t’u kthyer pak minuta më vone me një karabinë automatike dhe filloi të qëllonte mbi emigrantët. Madje 28 vjecari i ndoqi emigrantët në një distancë rreth 100 metra nga vendi i ngjarjes, ku dhe mundi të arrinte 53 vjecarin shqiptar, mbi të cilin zbrazi armën e tij duke e plagosur rëndë.

Me gjakftohtësi, autori i ngjarjes, u afrua mbi viktimën dhe nga distanca më pak se një metër i dha atij goditjen përfundimtare duke e qëlluar në gjoks.

Ai ka vazhduar ndjekjen e ka shtënë edhe mbi një emigrant pakistanez, i cili u dërgua në spital, për fat jashtë rrezikut për jetën.

Policia njoftoi se ka filluar kërkimet për gjetjen e vrasësit, por deri tani nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.

Autoritetet thonë se autori e kreu krimin në rrethana gjaknxehtësie, por analistët e kriminalistikës, thonë se kohët e fundit në Greqi është vënë re një rritje drastike e ksenofobisë dhe racizmit ndaj emigrantëve.

Top Channel