Po tani o i shkretë?

27/04/2012 00:00

Fatos Baxhaku – Andej nga fillimi i viteve ’80, lexuesve shqiptarë, që asokohe përpinin
çdo gjë që botohej, u ra në dorë një libër shumë i njohur ndër
gjermanët.

Libri e kishte kaluar me sukses sitën e censurës shqiptare, sepse bënte fjalë për jetën e trishtë të një personazhi të mbytur nga vetmia në Gjermaninë e viteve ’30. Pra botuesi mund të justifikohej se kishte përkthyer një libër mbi jetën e “proletariatit të shtypur gjerman”. Autori, Hans Fallada (1893-1947), e kishte titulluar librin e tij “Po tani o i shkretë?”, në gjermanisht “Was nun, kleiner Mann?”. Libri është një kryevepër mbi tersllëkun që sjell të qenët vetëm. Ai i shkon për shtat çdo vendi, çdo kohe, porse vetmia, që ka kapluar shumë prej nesh dhe egocentrizmi, që ka mbërthyer shumë të tjerë, e bën atë shumë të afërt me jetën që po shkojmë përditë. A ka më të vetmuar se një njeri të cilin e pushojnë nga puna tak-fak, vetëm se ashtu i është shkrepur dikujt? A ka më të vetmuar se punëtori që pret me orë të tëra që të zërë një punë sa për një copë bukë? A ka gjë më të trishtë se sa të punosh në të zezë me frikën e përhershme në zemër se do të vijë një ditë që të humbasësh bukën e fëmijëve?

A ka më të vetmuar se familja e një muratori që ka vdekur duke rënë nga skela? Kemi nisur të bëhemi gjithnjë e më shumë një popull të vetmuarish të përhumbur, një popull ku madje edhe fqinjët kanë nisur të mos përshëndeten, një popull që mblidhet në miting e madje edhe vritemi për interesat e x apo y partie, por jo për të qenë bashkë, për të ndarë hallet e për të mbrojtur interesat tona. Fjalori ynë i përditshëm është i mbushur me fjalë të tilla si parlament, deputet, parti, qeveri, ligj, debat, president, porse terma të tjerë si solidaritet, tubim, kontratë kolektive, grevë e aq më tepër sindikatë janë bërë tashmë fjalë të rralla, po aq të largëta sa edhe fjalët e Mesharit të Gjon Buzukut. Në shumë kuptime jemi edhe më mbrapa se sa paraardhësit tanë të Shqipërisë së prapambetur të viteve ‘20-’30.

Ndokush mund të ketë ndonjë mendim të gabuar për sindikalizmin shqiptar. Për t’u qartësuar duhet të themi qysh në fillim se lëvizja sindikale në Shqipëri ka një histori të gjatë. Sindikata e parë e punëtorëve u krijua në Shkodër në 1921. Ajo quhej “Shoqënija Punëtore”. Pesë vjet më vonë në Tiranë u themelua “Shoqënija e Rrobaqepësve”, e cila në 1934-n u pasua nga “Shoqënija e Arsimtarve” dhe më pas nga “Shoqëria e Tipografëve dhe Marangozëve”. Sindikalizmi mori hov në kohën e qeverisë liberale të Koço Kotës. Në Korçë, më 1933 u themelua shoqëria “Puna”, e cila bënte bashkë një numër të madh zejtarësh, çirakësh dhe nëpunësish. Ishte “Puna” e Korçës ajo që organizoi demonstratën e famshme “të bukës”, e cila u mbyt në gjak nga xhandarmëria. Në Kuçovë, më 1936 punëtorët e naftës ishin organizuar në një tjetër sindikatë që mbante të njëjtin emër, “Puna”. Kjo numëronte deri në 2000 anëtarë.

Sindikalizmi i brishtë shqiptar u mbajt edhe ca kohë, aq sa vazhdoi entuziazmi që solli mbarimi i luftës. Më 11 shkurt të 1945, ende pa u pastruar rrënojat e luftës në Tiranë, u mblodh një konferencë kombëtare, e cila shpalli formimin e Këshillit të Përgjithshëm Provizor të Sindikatave Shqiptare. 130 pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria zgjodhën në krye të këtij këshilli Tuk Jakovën, gjeneralin katolik shkodran, asokohe 31-vjeçar. Tuku kishte qenë që para lufte, një sindikalist i vendosur. Papunësia, pagat, orari i punës, kushtet e punës, analfabetizmi, lidhja me sindikatat perëndimore dhe ruse e jugosllave. Këto ishin disa nga pikat që u shkruan në dokumentin e parë themelues.

Si çdo gjë, edhe sindikata u shndërrua në një levë të thjeshtë të komunistëve. Kohë më pas ajo u quajt Bashkimet Profesionale dhe shërbente vetëm për të shpërndarë fletë lavdërimi për punëtorët e dalluar dhe fleta kampi për në verë. Sikurse patët mirësinë të lexoni, sindikalizmi ynë nuk është se ka ndonjë traditë të tipit të “Trade Unioneve” angleze, por ama ka ekzistuar vërtet, si me thënë një parahistori të tij e kemi. Po kështu të gjithëve na kujtohet Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë e më pas i Konfederatës së Sindikatave menjëherë pas ’90. Të keqpërdorura, të keqdrejtuara, të brejtura nga hallakatja, influencat partiake e vetjake, mungesa e dëshirës për bashkëpunim, këto dy grupime në fillim fort të rëndësishme nuk janë sot veçse hije të të parave. Të vetmet profesione që duket se kanë dëshirë të jenë ende bashkë janë minatorët dhe taksistët. Të tjerët nuk janë gjë tjetër veçse grupe njerëzish të vetmuar njësoj si personazhi i Falladës. Kemi harruar se sindikatat janë një mjet shumë i vlefshëm i demokracisë. Ato mbrojnë njerëzinë e brishtë nga harbutllëku e makutllëku, i japin asaj dinjitetin që ndokush mund të tentojë t’ia vjedhë, i japin sigurinë e munguar të së nesërmes, u japin gjërave kuptimin e vlerave, i japin djersës së ballit respektin që meriton, dhe më e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, na bëjnë që të ndihemi bashkë e të mbrojtur, që të mos ndihemi të vetmuar e të përhumbur në një qerthull pa mbarim.

Jeta e përditshme për shumicën tonë nuk është gjë tjetër veçse një betejë e ashpër pa pambarim. Për shumë vetë nuk është jetesë, porse thjesht mbijetesë. Në këtë luftë për mbijetesë shumica prej nesh ndihet vetëm. Sa kohë që nuk do të kujtohemi se asnjë betejë nuk fitohet vetëm, sa kohë që do të mbyllemi në guaskën tonë të brishtë, sa kohë që nuk do të kërkojmë e nuk do t’i japim mbështetje njëri-tjetrit, ka shumë gjasë që në vetminë tonë, teksa mundohemi të na zërë gjumi pas një tjetër dite me frikë në zemër, të përsërisim e përsërisim pa pushim atë shprehjen e famshme që Fallada e pat shkruar këtu e 75 vjet më parë: Po tani o i shkretë?

Gazeta “Shqip”

Top Channel