Sarandë, sekuestrohen dy ton kanabis

26/04/2012 00:00

Policia kufitare e Sarandës ka sekuestruar dy tonë drogë të llojit marijuanë gjatë natës së të mërkurës.

Droga u gjet dhe sekuestrua nga polica e Sarandës në zonën e quajtur Gjiri i Kakomesë dhe ishte transportuar deri në atë vend me anë të një kamioni me targa VL 22 69 C.

Sipas informacioneve paraprake, destinacioni i sasisë së madhe të lëndës narkotike mendohet të ketë qenë vendi fqinj, Greqi.

Ndërkohë, personat që do të kryenin transportimin e drogës janë larguar menjëherë sapo kanë pikasur policinë, me anë të një gomoneje në drejtim të Korfuzit, thonë burime të policisë kufitare të Sarandës.

Policia është duke hetuar për të zbuluar personat përgjegjës për trafikimin e sasisë së madhe të drogës dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Disa ditë më parë policia e qytetit të Gjirokastrës sekuestroi një sasi droge të llojit marijuanë prej 120 kilogramësh.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave lënda narkotike ishte e ndarë në pesë çanta dhe po transportohej drejt kufirit me Greqinë.

Burimet saktësojnë se droga u sekuestrua nga forcat e rendit në komunën Pogon, pranë grykës së lumit të Sukës.

Ndërkohë, transportuesit e marijuanës kanë arritur të shpëtojnë, pasi janë larguar duke përfituar nga errësira dhe moti i keq.

Shqipëria vazhdon të jetë vend ku kultivohen drogat e lehta, të cilat transportohen për në Greqi dhe Itali, prej nga kalojnë më pas edhe në vende të tjera evropaine. 

Më herët gjatë muajit të paktën 885 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa u sekuestruan prej policisë greke në zonen e Epirit, gjatë një super operacioni.

Javën e kaluar ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ishte i pranishëm
në takimin e përvitshëm për luftën kundër kultivimit të bimëve
narkotike, ku duke iu referuar një raporti të Interpolit, u shpreh se
kultivimi i kanabisit vazhdon në Shqipëri, por harta e tij vjen duke u zvogëluar.

Por raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, kur vjen
fjala tek përcaktimi që i bën në vija të përgjithshme pozicionit të
vendit tonë thotë: Shqipëria vazhdon të mbetet vend tranzit i drogës për Europën Perëndimore.
 

 

Top Channel