Greqi, pranga 15 grabitësve shqiptarë

26/04/2012 00:00

Të paktën 15 shtetas shqiptarë, të moshës nga 20 deri në 35 vjeç, janë
arrestuar në qytetin e Selanikut, me akuzën e kryerjes së vjedhjeve me
armë.

Sipas deklaratës së Drejtorisë së Policise së qytetit, ata kishin krijuar një organizatë kriminale e cila, e pajisur me kallashnikovë dhe pistoleta, kryente vjedhje të organizuara në zona të ndryshme të Greqisë së veriut.

Një prej akuzave që rëndon mbi të arrestuarit është se në dhjetorin e kaluar, nën kërcënimin e armëve, kanë hyrë në një shtëpi në lagjen Neohorudha të Selanikut dhe i kanë marrë një 47-vjeçari dhe vajzës së tij shumën prej 12.000 eurosh, si dhe bizhuteri me vlerë të madhe, ndërsa më pas e kanë marrë në telefon dhe i kanë kërkuar para të tjera duke e kërcënuar.

Një muaj më vonë, ata kanë vjedhur përsëri dy klientë në një bar në lagjen Stavrupoli, një person në lagjen Ano Iliupoli dhe një 48-vjeçar, drejtues kamioni, në zonën e Asprovaltës.

Pasi janë arrestuar, policia ka gjetur në shtëpitë e tyre sasi të konsiderueshme hashashi. Katër persona të tjerë, edhe ata shqiptarë, janë shpallur në kërkim.

Sipas statistikave që ka publikuar policia greke, aktet kriminale në Greqi kanë shënuar një rritje kolosale në vitin e kaluar deri në 300% në krahasim me vitin 2010.

Top Channel