Buxheti, ende në gropë

26/04/2012 00:00

Të ardhurat e qeverisë ne buxhet u rriten me 1.2 për qind në tre muajt e
parë të vitit krahasuar me të njëjtën peridhë të 2011-ës, duke e bere
më bindes konluzionin, se ky eshte një tjetër vit i vështirë për
financat publike. Ky është një nga dy rezultatet më të këqija që pas vitit
2008 kur nisi kriza ndërkombëtare.

Krahasuar me planin, të ardhurat ne buxhet për periudhën janar-mars ishin rreth 40 milionë dollarë më të ulëta. Por edhe pse me mosrealizim te te ardhurave te konfirmuara nga muaji ne muaj, qeveria nuk ka hequr dore nga shpenzimet e larta. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, shpenzimet e përgjithshme të buxhetit ishin për tremujorin e parë 44 milionë dollarë më të larta se sa plani.

Rritja e shpenzimeve pertej parashikimeve ka ardhur si nga investimet publike, por edhe shpenzimet operative dhe ato të mirëmbajtjes. Ky tejkalim në shpenzime dhe mosrealizimi i të ardhurave e ka rritur defiçitin buxhetor në 115 milionë dollarë ose 3.8 herë më shumë nga sa e kishte parashikuar qeveria për këtë periudhë duke vene ne dyshim konseguencen e saj per ta mbajtur nen kontroll, sikunder ka premtuar disa here.

E ndodhur ne kete situate aspak të përmirësuar qeveria është detyruar ta gjejë para duke rritur huamarrjen në tregun e brendshëm, nga bankat private. Në tre muajt e parë të vitit, qeveria kishte parashikuar në buxhet të merrte nga bankat vetëm 426 milionë lekë borxh, por për shkak të rritjes së fortë të defiçitit u detyrua të merrte me urgjencë 8.2 miliardë ose 19 herë më shumë.

Kjo dalje nga kufijtë e treguesve të buxhetit, mund të ketë ardhur edhe nga faktorë të përkohshëm për të cilat qeveria nuk është shprehur, por qe tregojnë se financat e qeverisë janë sërish të rrezikuara. Ndërkohë qeveria e ka shpenzuar thuajse të gjithë fondin kontigjencë, që kishte parashikuar për ruajtjen e deficitit brenda tre muajve të parë, që do të thotë se në rast goditjesh të tjera defiçiti mund të dalë jashtë kontrollit, duke e detyruar qeverinë të rishikojë buxhetin duke e ndrydhur me shumë atë.   

Top Channel