Berisha, një çështje stili

26/04/2012 00:00

Skënder Minxhozi – Qetësi relative në Tiranë. Kryeministri ndodhet jashtë shtetit. Janë
pakësuar kronikat me zërin e tij gjëmues, janë rralluar edhe sharjet,
replikat e egra, epitetet gjithfarësh, mes ndjekësve e kundërshtarëve të
tij në Tiranë.

A thua se një pëlhurë e padukshme ka bërë që zhurma e poterja të ulet. Tani që ka ikur kaq larg, në Uashington, Berisha nuk do ta ketë të mundur të konsumojë për pak ditë, orët e daljeve në media. E megjithatë, kur të kthehet, sërish gjithçka do të jetë si më parë. Sepse ky është stili i vetëm që njeh zoti Berisha.

Meqë ra fjala për stilin! Të gjitha i bën mirë Sali Berisha. I aftë si pakkush (në fakt si askush), për të luajtur psikologjikisht me kundërshtarin, për ta joshur atë kur vetë ndodhet në pozitë të vështirë, ose për ta sfiduar, goditur e trembur, kur ndodhet në pozita dominuese. I aftë gjithashtu që të lidhë aleanca, t’u shtrijë dorën apo t’u hedhë karotën atyre që deri dje mund t’u ketë treguar shkopin dhe drurin. I pandalshëm përpara asnjë pengese morale apo etike, nëse sheh se interesi ia kërkon këtë. I qetë dhe pa brerje ndërgjegjeje, edhe nëse i duhet të “përtypë” faqe miletit atë që deri dje e gjuante me gur. I ftohtë në kalkulime zgjedhore, prej nga ia ka dalë të shmangë edhe situatat më të pafavorshme. I buzëqeshur dhe i afrueshëm me ata që e sulmojnë, mizor me ata që i rrinë mbrapa. I zoti që të luajë blofin e të ngulë këmbë edhe për diçka që ai më mirë se kushdo e di që s’do të realizohet. I patrazuar dhe formalisht buzagaz, teksa u tregon shqiptarëve iPad-in e fundit, ndërsa matanë dritares opozita është e shtrirë në grevë urie, në mes të bulevardit. I shkathët që të luajë me gjithfarë shifrash, një pjesë e madhe e të cilave, e di edhe ai vetë, janë ose të fryra, ose të paqena. Lojtar ekzemplar me të gjitha levat e pushtetit, median, biznesin dhe padyshim të huajt, të cilët herë i hipnotizon, herë i intimidon, e herë i josh, sipas rastit dhe momentit.

Ky është Sali Berisha “i dytë” që kemi para syve gjithë ditën. Kryeministri, me fjalë të tjera, jo presidenti i viteve ’90, i cili tregonte rregullisht grushtin ndaj kujtdo që i priste rrugën.

Sali Berisha ka pësuar një metamorfozë, në disa aspekte spektakolare, për një politikan të moshës dhe të kulturës politike që përfaqëson. Aq sa sot, 22 vjet pas shpalljes së pluralizmit, ai vijon të jetë e vetmja garanci për partinë që kryeson me dorë të hekurt. Por nëse kur ishte kryetar shteti, ai ndiqte parimin “shtatë trimëri, asnjë hile”, sot ai e zbaton vërtet fjalën e urtë “shtatë hile e një trimëri”. Personazhi i ngrysur i një dekade e gjysmë më parë, sot është kthyer në politikanin hokatar e ironik, që ngjan shumë pak me presidentin që rizgjidhej nën krismat e kallashnikovit, në mars të vitit 1997.

E megjithatë, edhe Sali Berisha nuk i shpëton verdiktit të gjysmës bosh të gotës së ujit. Sepse ky politikan kaq dinak e i aftë për të sunduar në vitet e fundit (siç ka thënë Xhon Uithers), kaq nuhatës dhe manovrues, do të kishte qenë një makinë perfekte pushteti, nëse nuk do t’i binte po vetë me shkelm, mjaft shpesh, enës së mbushur me qumësht. Kjo, sepse ana e shkëlqyer e medaljes së politikanit Sali Berisha, stili, mënyrat, linja që ai ndjek për të qëndruar mbi kreshtën e dallgës së pushtetit, ka një anë tjetër, të errët e plot defekte.

Në nëntorin e vitit 2010, Kryeministri mbajti një fjalim në Kuvend. Ishte një moment i nxehtë, plot tension e helme në ajrin e rënduar të Tiranës. Nuk la fjalë pa e sharë kundërshtarin e tij, i cili nuk ndodhej përballë tij. I kujtoi atij plot të zeza, që edhe sot janë të sikletshme për t’u evokuar. Ka qenë një ndër ato momente që ka ekspozuar nervin e zbuluar, anën e errët të njeriut që gdhihet e ngryset duke u përbetuar se e respekton opozitën. Përtej këtij rasti, zoti Berisha është kujdesur gjatë gjithë këtyre viteve, që të kultivojë një stil politik, ku suksesi dhe dështimi, rezultatet dhe kostot, qëndrojnë përkrah, janë të ngërthyera e të përziera pazgjidhshmërisht mes tyre.

Ndonëse ia ka dalë të qëndrojë për dy mandate në qeverisje, e ky është në vetvete një sukses jo i vogël për një person që prej vitesh nuk i ka votat popullore për të qeverisur, Sali Berisha, në përditshmërinë e tij, shfaq një talent të pakrahasueshëm për t’iu bashkangjitur avantazheve që krijon, fatura të kripura që rëndojnë mbi imazhin e tij dhe të qeverisë së tij.

Mjafton të shohësh sesi e ka impostuar axhendën e tij, me dalje të pafundme publike, a thua se ka vendosur t’ia bëjë me çdo kusht të mërzitshme ditën shqiptarëve që enden me telekomandë në dorë, nëpër kanalet televizive të Tiranës. E kur del kaq shpesh në media, padyshim që rritet edhe mundësia që të thuash gjëra jo fort të mençura. Dhuna brutale ndaj demonstruesve të paarmatosur, dëshira patologjike për kapjen e institucioneve të shtetit, mbjelljet imagjinare të miliona ullinjve, kur plantacionet po shkretohen, promovimi i turizmit masiv, kur plazhet janë mbytur në plehra, predikimi i luftës ndaj korrupsionit, kur gjysma e qeverisë është për në prokurori, deklamimet gjasme patriotike kur marrëveshjes së detit ende s’i është tharë boja e kur koncesionet ndaj fqinjit jugor bien erë gjithnjë e më të keqe, inaugurimet e përsëritura të së njëjtës vepër pa asnjë merak dhe kriter, shkelja e rregullit dhe e ligjit edhe brenda Kuvendit, me urdhër, kërcënimet banale ndaj të gjithëve, opozitës, presidentit, sistemit të drejtësisë, medias, prekja e përsëritur e zgjedhjeve, krijimi i një klientele biznesi që ka futur në dorë praktikisht gjithçka ka një vlerë në këtë vend – të gjitha këto përbëjnë “anën e errët të Hënës” te zoti Berisha. Personi që driblon plot art kundërshtarët e tij pa e kuptuar, njeriu që është në gjendje të ngrejë kurthe pa u ndier dhe pas shpinës së gjithkujt, del para tre-katër kamerave dhe hedh në erë brenda një ore çdo gjë të mirë që ka ndërtuar gjatë një jave, muaji apo viti.

Ky është stili kontradiktor i politikanit që kontrollon sot këtë vend. Një stil ku rri pranë e pranë, në mënyrën më fatale të imagjinueshme, aftësia për të dalluar detajin më të hollë, por edhe për të injoruar e mos parë aspektin më të dukshëm dhe më të lehtë për t’u perceptuar. Sali Berisha po i afrohet një moshe kur e ka të pamundur t’i korrigjojë apo drejtpeshojë këto aspekte të personalitetit të tij kompleks. Tani, pas tetë vitesh në majë të shtetit, është e pamundur të ndryshosh më për mirë, për herën e dytë. Zot na ruaj, por më e mundur është e kundërta…

Gazeta “Shqip”

Top Channel