Shënime nga një mbledhje partish

24/04/2012 00:00

Mustafa Nano – Dje, ish-tryeza e organizuar nga partitë e vogla lidhur me reformën
zgjedhore. Personalisht, nuk i frekuentoj veprimtari të tilla, por një
orë para se të fillonte ky forum, ish një kombinim rrethanash, tok me
kërshërinë (dhe interesin, pse jo?) për të ndjekur një aktivitet të
mirëfilltë politik, që më bëri të shkoja.

Në atë lokal të ngushtë të hotelit “Sheraton”, që të ngjante më i ngushtë prej pranisë së madhe të gazetarëve e kameramanëve, ishin bërë tok të gjitha partitë shqiptare. Nuk i kisha parë ndonjëherë të mbledhura në të njëjtën sallë dhe ndonëse e kisha idenë që janë shumë (më se një herë kam shkruar vëzhgime mbi këtë fakt), u befasova që ishin kaq shumë. Është ndryshe ta dish që janë shumë, e ndryshe t’i shohësh bashkë të ulur rrotull një tryeze.

Mbi 60-70% e tyre nuk më thoshin asgjë; nuk më thoshin gjë as siglat e as fytyrat e kryetarëve të tyre, emrat e të cilëve me siguri nuk njiheshin as nga drejtuesit e tryezës, gjë që merrej vesh lehtë në momentin, kur këta të fundit u jepnin fjalën pa i prezantuar. Një copë herë po vëzhgoja siglat, të cilat po më ngjanin me hieroglifë pa kuptim; zura t’i shënoja në një copë letër, duke pyetur njerëz më të informuar se unë (reporterë aty rrotull) mbi domethënien e inicialeve që fanepseshin në një karton të vendosur para tyre mbi tryezë: BLD (Bashkimi Liberal Demokrat), PGJ (Partia e Gjelbër), PBD (Partia e Ballit Demokrat), PLD (Partia Ligj e Drejtësi e Ngjelës), PSV (Partia Socialiste e Vërtetë), etj., etj. Ishte si një Kuvend i princave të feudeve elektoralë dhe unë për herë të parë e çova nëpër mendje se ca prej tyre, edhe në rastin kur s’vlejnë asnjë lek, prapëseprapë duhen respektuar si njerëz që, në ndryshim nga ne të tjerët, janë zotër të vërtetë të një cope autentike të këtij vendit tonë në terma politiko-elektoralë. Por e largova sakaq atë mendim.

Pjesëmarrja ish aq e madhe, sa në të katër anët e tryezës së stërgjatë nuk mund të futej asnjë këmbë njeriu; për mungesë vendi, dy vajza përkthyese ishin ngjeshur aq shumë pas dy të huajve, që nuk u mor vesh se kush ishin e ç’përfaqësonin, sa nga pozicioni ku isha unë më bëhej se ishin bërë njësh me ta. Të gjithë ishin me këmisha të bukura e me kravata dhe merrej vesh se për një pjesë syresh, ajo tryezë ish ngjarja e vitit. Ushtria e kameramanëve që, në përpjekje për t’u dalë përballë atyre që merrnin fjalën, zhvendosej në mënyrë integrale, si të ish një njollë vaji mbi ujë, ua nënvizonte asosacionin, se kjo ish një ngjarje që do duhej ta shfrytëzonin. Dhe një pjesë prej tyre u ngutën të merrnin fjalën të parët. Dikush ish fjalëpak e propozitiv, por fakti që nuk përfaqësonte ndonjë gjë të madhe në terma elektoralë e politikë, e bënte qesharak në ngrefosjen dhe recitimin përballë kamerave, ndërsa dikush tjetër përpiqej të bënte përshtypje me ndonjë fjalë të zgjedhur si të madhe, sikur donte të thosh se “ja, kjo është kontradikta e shekullit, d.m.th unë që vlej kaq shumë e partia ime që s’vlen hiç”.

Nja dy-tre vetë kishin lënë celularët hapur, e ndonëse kish ilaritet në sallë në momentin që u vinte ndonjë zile, ata nuk e çonin në gjendjen “pa zile”. Madje, njëri, që s’e mora vesh kush ish, kish zgjedhur për zile himnin kombëtar. E kërkuan tre a katër herë në telefon dhe në sallë, me atë rast, përhapeshin tingujt e himnit, të cilin ai e linte të dëgjohej deri te vargu i parë “Rreth flamurit të përbashkuar/…”. Sa herë që ndodhte kjo, të gjithë ia plasnin së qeshurës; me përjashtim të dy të huajve dhe të përfaqësuesit të PBDNJ-së.

Pati disa momente gallate gjatë asaj mbledhjeje. Në fillim ishte Ekrem Spahia (e dini kush është? Ai që donte të rrëmbente hunjtë për të rrahur homoseksualët), që e nisi fjalën si të ish në një tubim elektoral, apo më keq akoma, në një gjyq: “Partia ime ka ekzistuar edhe në burgjet e komunizmit, edhe në emigracion, ….”. Pastaj ishte Spartak Ngjela, që zuri t’u thosh organizatorëve se “nuk është ky thelbi i problemit; thelbi është vjedhja e votës; ndërsa ju merreni me formula llogaritëse e me numrat pas presjes dhjetore”. Deri këtu ish Ok dhe me gishtin mbi plagë, por pak më pas u fut në një terren rrëshqitës, duke thënë: “Ju doni të llogarisni sipërfaqen e rrethit, por kjo është e pamundur; askush s’mund ta llogarisë sipërfaqen e rrethit!!!!”. Nuk di nëse ia ka thënë dikush (Gjinushi ishte aty afër) se ka një formulë për llogaritjen e rrethit dhe se kjo formulë bën: S=Πr² (pi grek herë rrezen në katror). Më pas Ngjela zuri t’u hakërrehej po organizatorëve, të cilët, sipas tij, nuk mund të ngushtonin objektin e debatit. “Nuk ka njeri t’më tregojë mua se për çfarë duhet të flas; unë jam i lirë”, ia bëri ai.

Rama u duk sikur nuk donte të fliste, megjithëse po mbante shënime gjatë gjithë kohës. Ose ndoshta nuk donte të fliste para Rusmalit, por ky i fundit kish ardhur i vendosur për të folur i fundit, e për t’i vënë vulën muhabetit si përfaqësues i partisë në pushtet; ama kur foli, mërziti dynjanë, pasi nuk tha gjë prej gjëje; bëri thjesht teori; e kish ndoshta si një mënyrë për t’mos thënë asgjë; dhe kjo është një mjeshtëri, të cilën, në stilin e Fatos Nanos, e kanë bërë të vetën shumë politikanë shqiptarë.

Rama u bëri partive të vogla një pjesë të premtimit që këto donin, por në pjesën më të madhe të kohës ishte arrogant (kush jeni ju?, dukej sikur u thosh të tjerëve) dhe në një moment tjetër ishte ironik e përbuzës edhe me Ekrem Spahinë, edhe me Partinë e Ballit (përmendi disa herë stereotipin socrealist të “ballistëve që hanë pula”), duke bërë që të kalojnë në plan të dytë gjërat e rëndësishme që tha. Përveç kësaj, u vu re se ka një problem të madh “me të vetët”. Shkëmbeu batuta të zemëruara me Gjinushin e me Ndokën.

Si përfundim? Si përfundim, ishte një forum që nuk më zhgënjeu, d.m.th nuk u iku pritmërive që unë kisha për të: një forum që ish organizuar për t’u marrë vesh e ku e vetmja gjë që u arrit ishte fakti që “nuk u morën vesh”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel