Një komedi me president

24/04/2012 00:00

Fatos Baxhaku – “Presidenti i ri” mbase është togfjalëshi që po përdoret më shumë këto
ditë. Emra, formula magjike e të errëta njësoj si ato të Nostradamit,
shpresa të mikluara nga shtypi, në shumicën e rasteve spekulative,
rikthime të bujshme në politikë, dreka me ambasadorë ku hahet nën syrin
vigjilent të mediave… të gjitha këto ia kanë kaluar rëndësisë së të
gjitha problemeve që kalojnë sot shqiptarët, mbase duke ia kaluar edhe
vetë hollimit të pandalshëm të xhepit të tyre.

Kjo është një gjë krejt normale. Që votimi për president të arrijë në Parlament duhet më parë që opinioni publik të jetë gati të pranojë kreun e ri të shtetit dhe kështu, si kudo gjetkë, vihet në lëvizje makina e madhe informative, orientimi i së cilës varet nga ata që kanë në dorë levat e saj. Porse, para se të pranojmë aksh kandidat për president të mundshëm, a mos vallë duhet ta pyesim veten se çfarë e shtyn njërin apo tjetrin kandidat që t’i hyjë këtij telashi të madh? Ta ndryjë veten në një dhomë të heshtur, të rrethuar nga roje, pa pasur mundësi të ketë jetën e tij private, t’i duhet të jetë gjithnjë i qetë e serioz, hera-herës i qeshur, të rrezatojë gjithnjë një besim të fortë në vetvete edhe atëherë kur ai i është lëkundur keqas, të thotë gjithnjë fjali hijerënda nga ato që dikur shkruheshin me bukëpeshku nëpër mure, me një fjalë të shtiret, të tjetërsohet e të mos jetë vetvetja. Përse kjo garë, hera-herës e ashpër, është bërë shenja më karakteristike e politikës sot? Përse shumë vetë, njerëz që kanë arritur gjithçka në jetë, ndonjëri madje edhe burgun, i hyjnë kësaj valleje ku edhe mund të dështojnë e të shahen keqas?

Një përgjigje e mundshme është: ata janë idealistë. Ata mendojnë për një Shqipëri kompakte e të lulëzuar, për një Shqipëri që brezat deri më tani ende nuk e kanë parë. Ata janë njerëz që besojnë vetëm te vullneti i tyre, njësoj si heronjtë homerikë. Ky lloj idealistësh në politikë ka ardhur duke u zhdukur. Për më tepër ajo që klasa politike shqiptare në tërësi ka ofruar në këto 20 vjet, me ndonjë përjashtim aty-këtu, nuk është se ka shumë lidhje me idealizmin e burrave të kamotit. Kjo përgjigje mund të merret në konsideratë vetëm nga ndonjë idealist optimist i tipit të vjetër. Njeri tjetër nuk ka se si ta hajë.

Po atëherë përse? Përse gjithë ky turr për t’u ngjitur në majë të pushtetit? Mbase këta njerëz janë dipendentë të një “droge” krejt të veçantë: pushtetit. Kjo varësi, si për çudi, i bën krejt të kthjellët. Ata e dinë se për ta pasur pushtetin, duhet ta dashurosh atë më parë. Pushteti i bën që të afirmohen përmbi të tjerët, u jep shijen e pasjes në dorë të jetës së të tjerëve, u duket sikur të tjerët do t’ua kenë frikën. Ata e dinë se shumë herë mund të bëhen edhe të neveritshëm për ndokënd, e dinë se do të rrethohen nga një tufë arrivistësh pa kufi, e dinë fort mirë se jeta që do të bëjnë në majë të pushtetit nuk është kush e di se çfarë, e megjithatë, këmbëngulin me mish e me shpirt për të arritur objektivin e tyre. Vetëm kështu mendojnë se do të mbeten në histori. Për ta, nuk ka rrugë tjetër. Nëse nuk ndjekin këtë rrugë, atëherë askush nuk do të kujtohet më për ta. Të paktën kështu besojnë ata.

Njësoj si artistëve, pyetja më e shpeshtë që u bëhet politikanëve, pra edhe kandidatëve për president, është: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? Këtu ata e shkrijnë të gjithë talentin e tyre demagogjik. Sa më të rënda fjalët, aq më të shushatur do të ndjehen ata që të dëgjojnë e të shikojnë. Ani se do thuash gjëra të ditura e të stërthëna. Nuk ka rëndësi nëse thua gjëra të reja apo të vjetra, e rëndësishme është se si i thua ato. Planet që kanë për të ardhmen duhet të ngjallin entuziazëm, porse ata janë të kujdesshëm që të mos duken utopikë, përndryshe do të vihej në dyshim aftësia e tyre drejtuese. Ata e dinë se janë demagogë. Mes së vërtetës dhe demagogjisë, ata zgjedhin me kënaqësi të dytën. Shtirja është arma e tyre më e fortë. Ata bëjnë kujdes që të shmangin hollësitë. Të flasësh për shifra, grafikë, marrëveshje, emra, ngjarje atyre nuk u shkon për shtat. Pastaj po të merreshin me të tilla gjëra, a nuk do të dukeshin disi të veckël para publikut?

Në këtë garë drejt pushtetit, kandidatët, të shpallur e të pashpallur, kanë vetaftësuar edhe një cilësi tjetër, përvetësimin e ideve të të tjerëve. Askush nuk duhet të dalë para tyre në parashtrimin e ideve. Ata duhet të jenë gjithnjë në krye. Nëse nuk veprojnë kështu, atëherë kanë frikë se bien në banalitet, u duket portreti i tyre si një fytyrë e parë kushedi sa e sa herë. Me një fjalë atyre u duhet të duken gjithnjë në kërkim të planeve të reja, krijues, mendjendritur, hera-herës edhe misteriozë. Pa skrupuj, nuk është rasti të kenë skrupuj moralë, përndryshe gara është e humbur.

Një nga armët që po përdoren në këtë pranverë është edhe distanca. Kandidatët duhet të jenë konsensualë, është thënë e stërthënë. Kështu që në publik ndonjëri prej tyre është shfaqur i rrethuar vetëm nga këshilltarë të afërt privatë, apo ndonjë mik i vjetër. Larg qoftë të krijohet ideja se ai varet nga ndokush tjetër! Jo, ai nuk varet nga askush, përveçse nga historia e tij. Befasia është një tjetër armë që është përdorur. Ai del atje ku askush nuk e pret duke ngarë makinën e tij të shtrenjtë e hijerëndë. Paparashikueshmëria është një tjetër veti “presidenciale”.

“Politikanët interpretojnë në një komedi, brendinë e së cilës e shkruajnë ata vetë”, shkruante këtu e ca vjet më parë Eduard Baladyr, ish-kryeministër i Francës dhe rival i Zhak Shirakut në zgjedhjet presidenciale (Eduard Baladyr; Makiaveli në demokraci; Uegen, Tiranë 2007). Deri më tani, shumë nga aktorët e politikës sonë kanë qenë njerëz, të cilëve u është dashur të shtiren. Kanë krijuar një personalitet nga e para, një personalitet që nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë jashtë politikës. Pamja e tyre e jashtme është false. Arma e tyre e fortë është shtirja. Aq shumë shtiret kjo kategori, saqë edhe vetë hera-herës ndihet në siklet. Në ambiente familjare të ngushta, atëherë kur nuk ka pse të shtiret, ky lloj politikani tregon barsoleta për veten dhe për të tjerët si ai.

Për fat të mirë tonin ka pasur dhe ka edhe një grup tjetër. Ky grup politikanësh mendon se vlerat e demokracisë janë universale dhe të pashtershme, se sistemi në të cilin kemi hyrë duhet të adoptojë përveç ligjeve, edhe një moral tjetër, atë që mbështetet mbi vlerat dhe virtytin, mbi guximin për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Zakonisht ky grup nuk e mbështet suksesin e tij mbi mediatizimin, mbi makinat e veshjet e shtrenjta dhe mbi hapin e sigurt prej “çuni lagjeje”. Ky grup nuk e shet veten dhe bindjet e tij vetëm e vetëm në emër të suksesit, sepse e di që kjo është rruga më e lehtë, por më jetëshkurtër në politikë. Ky grup është i sinqertë dhe i ndershëm, i mendon ata që e kanë zgjedhur jo si turmë injorante e amorfe, por si popull, të cilit i kemi borxh gjithçka, deri edhe vetë ekzistencën. Ky grup kërkon të punojë kokulur dhe jo të shesë mend duke hedhur fjali bombastike boshe. Ka dashur Perëndia që njerëz të tillë të ketë edhe te ne. Mbase janë pak e të tërhequr, por ama vetëm falë tyre demokracia merr kuptim. Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të presim se cilën nga komeditë ka vendosur të luajë politika jonë këtë herë: atë me të shtirur, apo atë me idealistë. Sikur të ndodhë kjo e dyta, atëherë do të ndjehemi të gjithë disi më mirë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel