Mbërrin vala e krizës

24/04/2012 00:00

Në vitin 2009, kur kriza përfshiu gjithë Europën Lindore dhe atë
Qëndrore, Shqipëria ishte një nga tre vendet e vetme të rajonit, që nuk
ra në recesion.

Atë vit ekonomia shqiptare u rrit me 3.3 për qind, e pasuar nga Kosova me  2.9 për qind dhe Polonia me 1.6 për qind. Ekonomia shqiptare ka vijuar të mbajë norma pozitive të rritjes edhe pas vitit 2009, duke mos rënë në recesion. Për qeverinë ky ka qenë argument i mjaftueshëm për të mohuar krizën. Por shifrat tregojnë se tani ekonomia shqiptare po goditet më fort nga kriza se vendet e tjera.

Në vitin 2010, rritja ekonomike në Shqipëri ishte 3.5 për qind sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo jo vetëm që nuk ishte më shifra më e lartë në ekonomitë europiane në zhvillim, por madje ishte më e ulët edhe se sa mesatarja e ekonomive të rajonit, të cilat të udhëhequra nga Turqia u rritën me 4.5 për qind.

Hendeku u thellua edhe më shumë vitin e kaluar. Sipas INSTAT, në 2011 rritja ekonomike zbriti në 3.1 për qind, kur mesatarja e vendeve të rajonit ishte sipas FMN, 2.1 pikë përqindje më e lartë. Këto janë shifra faktike dhe të matura për vitet që tashmë kanë kaluar.

Parashikimet për vitet e ardhshme janë edhe më të zymta. FMN vlerëson se këtë vit rritja ekonomike në Shqipëri do të jetë gati 4 herë më e ulët se mesatarja e rajonit. Madje tendenca do të vazhdojë të paktën edhe për 5 vitet në vijim deri në 2017-ën, ku rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet nga ekspertët e fondit mesatarisht nga 1 deri në 1.5 pikë përqindje më e ulët se ajo e mesatares së rajonit. Ajo çka shifrat e fundit dëshmojnë është se kriza në ekonominë shqiptare vetëm sa mbërriti pak më vonë se në vendet e tjera dhe nëse parashikimet e FMN-së do të vërtetohen, gjasat janë Shqipëria të jetë vendi më i goditur ne rritjen e saj ekonomike.  

Top Channel