Të mbytesh për një thes me miell

23/04/2012 19:30

Fshati Simon, një vend me një bukuri të rrallë, por edhe me dhimbje të mëdha për shkak të skamjes së kudondodhur, u shndërrua në vendin ku u konsumua një tragjedi e re shqiptare.

Përpara disa ditësh, Llesh Karrici, në një përpjekje për të sjellë një thes miell në shtëpi për të ushqyer familjen e tij me gjashtë fëmijë, u mbyt në lumin e Fanit.

Përpara se kamerat e emisionit të “Pasdites” në “Top-Channel” të mbërrinin në fshatin Simon, në komunën Kaçinar, ku ndodhet edhe banesa e të ndjerit, u takuam me shumicën e burrave të fshatit, që kanë dalë në këmbë të urës së Milotit, me shpresën se lumi që mori jetën e bashkëfshatarit të tyre do të ketë aq mëshirë sa te kthejë të paktën trupin.

Mes më shumë se 50 burrave, ajo që gjen, është një përzjerrje e zakonshme e realitetit shqiptar, inat dhe varfëri.

Vëllai i viktimës, i dëshpëruar shprehet: “Jemi këtu që të shtunën në mëngjes që presim tek ura e Milotit, presim kufomën që u mbyt 50 km më larg. Nuk e gjejmë dot, Fani ka shumë ujë dhe polumbarët nuk kanë kryer asnjë lloj aktiviteti. Nuk janë futur në ujë askund, ndërsa shokë e bashkëfshatarë janë duke kërkuar, por më ka humbur shpresa mua dhe atyre”.

Petrit Bardhi, kryetari i komunes dhe një mik i Lleshit, u angazhua ditë e natë për gjetjen e trupit. Nëpërmjet “Top-Channel”, ai deshi të lëshojë një apel, për të gjendjen e mjeruar të Simonit dhe braktisjen e tij nga autoritetet shtetërore. “Ditën e premtë, pasdite, njoftuam policinë dhe ajo erdhi vetëm pas 24 orësh. Kërkuam polumbarët, të cilët erdhën vetëm dy ditë më pas dhe as që u futën fare në ujë. Të dielën, deklaruan edhe me fjalë ofenduese që nuk do të hynin dhe kështu u larguan. Jam i sigurt që nëse do të ishte mbytur ndonjë djalë Ministri apo deputeti, do ta gjenin për një orë. Në këtë lumë u mbyt një fukara, për një copë mielli dhe kështu jemi të gjithë, po vdesim për një copë bukë. i bëj thirrje shtetit që të paktën të ndihmojë tani gjashtë fëmijët e tij të gjorë”.

Familja Karrecai në fshatin Simon, ndërkohë ka improvizuar ceremoninë e mortit në shtëpinë e saj, që më shumë ngjan si një kasolle, ku konsumohet jeta e varfër e banorëve të saj.

“Është një situatë shumë e keqe. Në traditën shqiptare, morti nuk zhvillohet pa kufomë. Duhet ta gjejmë këtë njeri, këtë baba të gjashtë fëmijëve dhe polumbarët duhet të bëjnë detyrën e tyre”, shprehet baxhanaku i Lleshit.

Është një mort përgjysëm, ai ku inati i ze vendin dhembjes, e ku asgjë nuk e shuan urinë! Llesh Karreca ishte një fshatar i thjeshtë! Së bashku me kalin po kalonte lumin e Kaçinarit, kur rryma e ujit e mori me vete askush se di se ku. Ai po sillte në shtëpi miell për 6 femijët e tij! Te një nga dyqanet e zonës, ende është e pashlyer lista e familjes se tij, me ushqime të papaguara.

Familjarët e tij e kanë të vështirë të shprehen. Bashkëshortja, e mbytur nga trishtimi, nuk arrin të flasë, ndërsa vajza e tij e madhe rrëfen: “Në orën 10,30 doli nga shtëpia paradite, zbriti poshtë, thjesht ka shikuar pas dhe s’tha asgjë. Doli tek dyqani që të merrte miell dhe të kthehej. Do merrte bukë për shpinë. Kjo ishte hera e fundit që e pamë gjallë”.

Ndërsa djali i madh, përpiqet t’i japë forcë anëtarëve të tjerë të familjes, por duke thënë: “S’më intereson barra që më ka rënë mbi supe, por të paktën të gjejmë babain, që të prehet i qetë në një varr, si çdo njeri tjetër”.

Vajza e vogël e Lleshit duket më e ligështuara! Ajo kishte mbi dy javë që nuk e takonte të atin sepse shkolla e saj është në Rrëshen!

Të premten në darke do të kthehej tek familja e saj për një fundjavë për aq sa mund të quhet e lumtur në këto katër mure të improvizuara shtëpi! Kristina, nuk do ta shohë me kurre babain e saj gjallë, por të paktën, shpreson ta qejë një herë ashtu siç duhet.

Top Channel