Protesta për furgonët e Kamzës

23/04/2012 00:00

Rreth 200 shoferë furgonash të bazuar në bashkinë e Kamzës janë grumbulluar para hyrjes së policisë bashkiake të Tiranës, për të protestuar kundër gjobave, sipas tyre të pamerituara, dhe bllokimit të automjeteve nga bashkia e Tiranës.

Ata pohojnë se ka mbi 6 muaj që vuajnë pasojat e penalizimit të padrejtë. Mbi 20 mjete ndodhen aktualisht, sipas shoferëve, të bllokuara në oborrin e policisë.

“Gjithë këta furgona aty janë pajisur nga bashkia e Kamzës me leje e me liçensë. Doli shefi i policisë bashkiake, më vuri një milion lekë gjobë dhe ma mori furgonin me dhunë”, ka treguar një prej shoferëve.

“Bashkë me babain tim na kanë zbritur me dhunë nga furgoni dhe na kanë rrahur. Pastaj na morën furgonin dhe na bllokuan. I kishim të gjitha dokumentet”, është shprehur një tjetër.

Përfaqësuesit e policisë bashkiake të kryeqytetit kanë shpjeguar arsyet e penalizimeve për drejtuesit e mjeteve nga Kamza.

“Policia bashkiake ka mbi 1 muaj që ka ndërmarrë një aksion pas ankesave të firmave të autobusëve që kanë fituar tenderin për atë linjë, për shkak të ndërhyrjes ilegale të furgonëve. Ata e dinë këtë por duan ta shkelin”, ka sqaruar Gentian Vocaj, inspektor i Qarkullimit Rrugor në policinë bashkiake, Tiranë.

Pas akuzave të punonjësve të policisë, nga ana e tyre drejtuesit e automjeteve janë shprehur se i kanë të gjitha liçensat e duhura për të bërë punën e tyre dhe se fotografitë e bera nga policia bashkiake e Tiranës janë marrë jashtë juridiksionit të tyre në bashkinë e Kamzës. Ata u shprehën se protesta do të vazhdojë edhe në ditët e tjera, derisa të zgjidhet shqetësimi i tyre.

Top Channel