Mjerimi i Thethit turistik

23/04/2012 21:20

Në letër konsiderohet si ndër destinacionet kryesore të turizmit malor. Por, përtej fjalëve dhe realitetit të ofruar zyrtarisht në fletushka e oferta turistike, Thethi përballet sot me vështirësi të jashtëzakonshme mes mungesës së investimeve shtetërore që në këtë zonë janë një fenomen i panjohur.

Natyra i ka falur gjithçka me bukurite e saj, por mungesa e rrugës dhe energjisë elektrike, që më shumë ikën se vjen e ka kthyer këtë fshat në një ishull të harruar mes malesh.

Pikërisht, infrastruktura dhe investimet, nuk duken asgjëkundi në Theth. Rruga, nëse mund të quhet e tillë, është më shumë një shteg malor, i përballueshëm vetëm nga mjetet e larta, ndërsa rruga e dytë, ajo nga Boga, për të gjashtin muaj rresht është e bllokuar nga dëbora dhe si rrjedhojë e paaksesueshme, ndërsa askush nuk është kujtuar për ta zhbllokuar.

Pas rreth pesë orësh, mes një rruge me bukuri përrallore, dallohen shtëpitë e para të Thethit. Natyra, që nga ana e saj nuk ka harruar asgjë, mplekset me harresën totale të shtetit shqiptar, mospërfillës jo vetëm ndaj banorëve, por edhe ndaj asaj që në letër është një perlë e turizmit shqiptar.

“Premtime kemi patur me shumicë, por vetëm kaq”, shprehet një banore e zonës, po aq e varfër sa pothuajse kudo në Shqipërinë rurale, pavarësisht pasurisë së jashtëzakonshme që e rrethon.

Përveç GTZ gjermane, në Theth nuk ka patur kurrë ndonjë investim apo projekt qeveritar, një entitet krejësisht i panjohur për zonën.

“Edhe në kohën e Zogut apo të Ismail Qemalit, në vitin 1912, ajo pak qeveri që ishte mendonte për një fshat të largët, për një banor kudo që ndodhej brenda territorit, por sot ne jemi lënë në harresë të plotë, askush nuk kujtohet për ne”.

Përtej reklamës politike e mediatike, që shpesh nuk i thotë të gjitha, banorët e Thethit duhet të përballen edhe me mungesën e energjisë elektrike. “Thethi është i pari fshat që ka marrë dritë në të tërë rrethin e Shkodrës, por sot jemi pa dritë. Si largësi vështirësie, duket sikur jemi 500 kilometra nga qyteti e jo vetëm disa dhjetëra”, ankohet një tjetër banor.

Centrali i vjetër elektrik, tashmë është zhbërë krejtësisht, ndërsa transformatori i vetëm i mbetur është në gjendje të furnizojë me energji të fuqishme sa drita e qiririt vetëm një prej katër lagjeve të Thethit. Tre të tjerat, janë të kredhura në errësirë.

“Sado të përpiqemi të investojmë vetë, nga ana e buxhetit privat, nuk mund t’ia dalim, sepse buxheti ynë është tepër i kufizuar. Këtu, pa ndihmën e shtetit, për ato gjëra madhore, ne jemi krejt të mbaruar. Atje ku nuk ka rrugë nuk ka jetë. Atje ku nuk ka dritë, gjithashtu nuk mund të ketë jetë”, shprehet Gjon Deda, kryeplaku i Thethit.

Një pjesë e banorëve, kanë arritur të gjejnë zgjidhje nëpërmjet gjeneratorëve, të cilët i përdorin me kursim, vetëm kur kanë miq ose turistë të huaj. “Nga Shkodra deri në Theth, nuk mund të shohësh asnjë dritë të vetme. Gjeneratori nuk është një zgjidhje, pasi një litër naftë tashmë ka shkuar dy mijë lekë dhe nuk e përballojmë dot. Turistët, i presim me gjenerator dhe me errësirë. Kjo është Shqipëria turistike që përflitet. Gjatë të gjithë verës nuk kemi patur drita, ndërsa tani në dimër, herë vijnë e herë jo”, shprehet i dëshpëruar një tjetër banor i mjeruar i Thethit.

Nga natyra, ka marrë gjithçka, ndërsa nga shteti, vetëm premtime. Ky është Thethi i sotëm, oazi i harruar mes malesh.

Top Channel