Ligji i ri për pronat

23/04/2012 00:00

Maxhoranca miratoi një ndryshim të ri në Ligjin për Pronat, i cili e
anashkalon tërësisht Kuvendin nga vlerësimi i vlerës së pronave, për
efekt të kthimit dhe kompensimit.

“Eshtë parashikuar, që agjencia që ushtron funksionet e drejtimit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave është tashmë nje agjenci qeveritare, në varësi të ministrit të Drejtësisë, e për rrjedhojë edhe aktet nënligjore që do të rregullojnë veprimtarinë e kësaj të fundit, do të miratohen nga Këshilli i Ministrave”, thotë Elona Syla, drejtoreshë e Hartimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë.

Socialistët, që abstenuan në votim thonë se ky ndryshim ka një konflikt të fortë juridik.

“Diskutimi është parimor. Nuk mundet të përcaktojë vlerën e pronës sime, një institucion, i cili ka marrë përsipër detyrimin që të më kompensojë pronën që kam patur. Nëqoftëse me ligj detyrimin për të kompensuar në vlerë në natyrë, e ka marrë qeveria, natyrisht që nuk mundet që qeveria të bëjë vetëvlerësimin e pronës sime, pavarësisht standardeve që do të aplikojë, prandaj është vendosur Parlamenti më herët, prandaj duhet të jetë përsëri Parlamenti, për ta miratuar si një institucion”, tha deputeti socialist, ne kete Komision Braçe.

Por Qeveria thotë se çmimet e reja do të jenë më afër tregut, duke ju garantuar pronarëve një kompensim më të drejtë për pronën që u është marrë.

“Fakti që propozohen ndryshime në ligj ka të bëjë me adresimin e dy-tre çështjeve të rëndësishme të ngritur nga ata të cilët preken direkt nga procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave. Në radhë të parë ka të bëjë me procesin e vlerësimit dhe pretendimet për një vlerësim sa më real, që t’i përgjigjet vlerës së tregut dhe është normale që të ketë pretendime të tilla”, tha Edmond Spaho, kryetar i Komisionit të Ekonomisë.

Ligji i ri shtyn edhe afatin për kthimin dhe kompesimin e pronave, deri në prill të vitit 2014, pasi qeveria ende nuk ka arritur të përgatisë fondin fizik për kompensimin e tyre, edhe pse afati ishte fundi i vitit të kaluar.

“Minimumi që duhet bërë është që të paktën të stopohen këto aksionet e tjera, që këtë lloj pasurie e transferojnë diku tjetër, qoftë edhe në vartësi të organeve të pushtetit vendor, apo e ndalojnë organet e pushtetit vendor që këtë lloj pasurie të vënë në dispozicion, pikërisht për këtë gjë ta marrë edhe ta transferojë qoftë edhe në formën e dhënies në përdorim, mbi të cilën pastaj kryhen investime të tjera, që do të jetë e vështirë, t’ua marrësh atyre njerëzve që investojnë mbi të”, tha Braçe.

“Nga rreth 50 mijë aplikime që ka patur për kthim dhe kompensim prone, në mos gaboj janë mbi 40 mijë, ato të cilat janë adresuar. Po flasim për pjesën më të vogël të mbetur dhe nuk duhet të krijohet përshtypja sikur ky proces ka ngelur në vend. Në fakt ecuria e tij ka qenë mjaft e mirë”, tha Spaho.

Sipas qeverisë çmimet e reja të pronave do të zbatohen edhe në rastet e shpronësimeve për investime publike apo dhe në kontratat koncesionare për ndërtimin e veprave të mëdha.

Top Channel