Nëna e Gentës: Fotot i ka publikuar Rubensi

22/04/2012 14:00

“U ndjeva shumë keq, nuk gjej dot fjalë për ta përshkruar atë që ndjeva. Rubensi i ka hedhur ato foto dhe nuk e di se si e ka gjetur guximin për ta bërë këtë gjë.”

Këto janë fjalët e nënës së Gentës, e ftuar në emisionin ‘Fan Club’ në Top Channel. Ajo shpjegon se kurrë nuk e ka pranuar lidhjen e vajzës së saj me Rubensin: “Nuk e donim lidhjen sepse ata ishin të vegjël dhe Genta duhej të vazhdonte shkollën. Vetëm në Tiranë është folur për këtë lidhje e ka pasur thashetheme. Në fshatin tonë njerëzit shohin punën e tyre.”

Më tej, zonja këmbëngul se fotot erotike janë publikuar nga ish i dashuri i vajzës: “Ato foto i kanë pasur vetëm ata të dy dhe ai i ka thënë që fotot do i publikonte nëse Genta hynte në Big Brother.”

”Për mua historia me Rubensin është e mbyllur, por nuk e di si do reagojë ajo. Ne do e mbështesim shumë Gentën”, përfundon e ëma e konkurrentes së Big Brother.

Kryeredaktori i “Metropol”: Fotot kanë qenë publike në një faqe interneti

Brahim Shima, kryeredaktori i gazetës “Metropol”, e para gazetë që publikoi fotot erotike të Gentës, deklaroi se “fotot kanë qenë të hapura në një faqe interneti ku ka pasur të regjistruar rreth 20 mijë shqiptarë”.

“Një mik i një gazetarit tonë i kishte parë fotot rastësisht dhe ka kontaktuar gazetarin. Fotot ishin publike ku mund të shiheshin nga të gjithë ashtu siç shihen fotot në Facebook. Ishin në një forum specifik ku çiftet kërkojnë çifte të tjera. Gjithkush që ka pasur adresë në atë forum mund t’i shihte fotot. Gazeta jonë nuk ka sulmuar Gentën, por thjesht ka publikuar foto sepse kanë interes për publikun.”, shpjegon Shima.

Klotilda Harka: Fotot, strategji e Gentës

“Rubensi më ka treguar se bënin foto të tilla erotike që i kishin vetëm ata të dy. Kur i kam kërkuar të m’i tregonte nuk ka dashur. Kur kanë dalë tek gazeta “Metropol” ai më tha që fotot ishin marrë në një faqe pornografike ku ka shumë shqiptarë. Më tregoi se ai dhe Genta kishin një profil aty me emrin “Crazy Couple”. Ai thotë që profili administrohej nga të dy dhe nuk është mbyllur kur Genta ka hyrë në Big Brother”, shprehet Klotilda Harka, gazetare e gazetës “Panorama”.

Harka mendon se publikimi i këtyre fotove është një strategji e vetë Gentës: “Para se të hynte në Big Brother Genta ka qenë mjaft aktive në forume dhe ka qenë shoqe e ngushtë e personazheve të tjerë të këtij reality-show. Për mua mbase kjo ka qenë një strategji e saj. Mbase ajo ka dashur që këto foto të publikohen në një moment kulminant të lojës. Mos e përjashtoni këtë mundësi.”

Top Channel