Demokracia online, një arritje apo një problem?

22/04/2012 00:00

Mustafa Nano – Që në botën online ka demokraci, kjo është një gjë që duket pa ndonjë mundim të madh.

Madje, ka demokraci më shumë se sa në botën reale, ku pjesëmarrjen e pengojnë apo shkurajojnë lloj-lloj faktorësh, mes të cilëve mund të shquajmë deri dhe natyrën ca si tepër impenjative të pjesëmarrjes (për të shkuar në një tubim, të duhet të vishesh, të marrësh autobusin, të dëgjosh të tjerët të flasin e rëndom të mos kesh mundësinë ta thuash tënden). Ndërsa në botën online pjesëmarrja nuk përbën ndonjë kokëçarje kushedi se çfarë: je në shtëpinë tënde, përballë kompjuterit, madje duke bërë dhe punë të tjera në kompjuter, dhe ti ke mundësinë “t’i dëgjosh” të gjithë (të gjithë ata që janë aty, në atë tubim a lokal virtual, që me gjuhën e internetit quhet rrjet social), e t’u japësh përgjigje të gjithëve. Sigurisht, kjo është gjithashtu impenjative, madje në njëfarë kuptimi edhe më impenjative, por kemi të bëjmë me një kokëçarje që të dhemb më pak se sa ajo në botën reale. Të dhemb më pak, pasi kupton që je më pjesëmarrës, e që je pjesëmarrës në mënyrë më autentike; ke mundësi të shprehesh në çdo rrethanë e për çdo gjë, e kjo nuk është një “arritje” e vogël për ata që kanë gjëra për të thënë e që s’i mban vendi deri sa t’u vijë mundësia për t’i thënë këto gjëra.

Bota reale ka ndonjë avantazh shumë të madh në këtë diskutim, pasi së pari ti jeton atje me mundësinë për aksion (në botën online s’ka aksion, ka vetëm “llogje”), dhe së dyti pjesëmarrja në demokraci të afron potencialisht me qendrat ku merren vendimet, e në këtë kuptim të bën pjesë të procesit të vendimmarrjes (fjala vjen, po të jesh anëtar partie, do të të duhet në një rast a në një tjetër të asistosh në një forum, ku merren vendime, e aty mund të ndikosh me votën, për t’mos thënë më fjalën). Edhe bota online ta jep këtë avantazh, por ta jep në mënyrë të vagullt e jo fort të prekshme (fakti që fjala jote dëgjohet diku, ndikon në një masë a në një tjetër tek ata që marrin vendime), por kjo botë nuk mund të konkurrohet kur vjen puna të flitet për pjesëmarrje në demokraci, pasi secili prej nesh ka online po atë hapësirë për t’u shprehur që ka dhe njeriu më i fuqishëm në botën reale (ku e si mund ta gjesh këtë “barazi” në rrethana të tjera?). Shkurt, demokracia online është shkalla më e lartë e demokracisë në rruzullin tokësor. Dhe e bën të tillë jo vetëm mundësia që kemi për t’u shprehur, jo vetëm fakti që këtë mundësi e kemi të barabartë me të tjerët, por edhe fakti që mund të themi çdo gjë pa e nxjerrë fytyrën në shesh, nëse na duhet t’mos e nxjerrim. Të kuptohemi, të kesh mundësi të fshehësh fytyrën është edhe e rrezikshme sa të duash, por kjo është një temë tjetër. Unë po shoh anën demokratike të çështjes: bota online, duke qenë se na jep mundësinë ta fshehim fytyrën dhe identitetin, na bën të shprehemi ashtu si jemi në të vërtetë, gjë që nuk para ndodh në jetën reale ku shumëkujt i dridhen leqet e këmbëve e i shkojnë shtatë nga të vërtetat konvencionale, nga tabutë, nga morali publik, etj., etj.

Duhet të jetë gjë shumë eksituese të flasësh me një emër të rremë në rrjetet sociale. Është një gjë që unë s’e kam bërë e që, sipas shumë gjasash, s’do mund e s’do doja ta bëja, por e marr me mend se duhet të ketë magjinë e vet. Është çliruese; të jep ca shkallë lirie më tepër, të bën të ndihesh i fuqishëm si kurrë më parë. Nuk është se nuk e di që është dhe i poshtër si gjest; e di që ç’ke me të; të shumtit e fshehin fytyrën për të goditur pas shpine, për të shpifur, për të sharë, për t’u hakmarrë, për t’u zbrazur ndyrësisht, etj., etj., gjë që ka ndodhur e ndodh gjithë ditën e ditës; madje, po them këtu, se kjo është rrethanë që shfrytëzohet mirë nga horrat e botës. Dhe menjëherë është hera për një parantezë: “Një personazh i jetës publike shqiptare, pasi ka provuar fillimisht të shkruajë për respublica-n me emrin e vet, ka ca kohë që shkruan me një emër të rremë. Dhe ka shpëtuar nga dhuna e banditizmi online. Kur shkruante me emrin e vet, të gjithë fokusoheshin te biografia, te personi e personazhi; dihet që për emrat e njohur ka gjithmonë diçka të zezë për të thënë, a për ta përgojuar; ndërsa tani që shkruan me emrin e rremë, lexuesit fokusohen tek argumenti i shkrimit; autori i shkrimit, duke qenë emër jo i njohur, mbetet jashtë vëmendjes. Dhe kështu, autori i njohur ka shpëtuar duke u bërë i panjohur; ka shpëtuar edhe për një arsye tjetër: është më i lirë të shprehet për çështje nga më të ndryshmet”.

Nuk po e mbyll parantezën; po e vijoj. Autori në fjalë ka fituar lirinë pra, e është për këtë arsye që, kur them “të flasësh me maskë në fytyrë” është çliruese, nuk kam parasysh thjesht të liqtë që vërsulen për të kafshuar ku të munden e si të munden, por kam parasysh në radhë të parë ata që emrin virtual e kanë si një strofull ku mund të shprehin e shpalosin ide e qëndrime, duke e fshehur fytyrën dhe identitetin. E strofulla të tilla janë fatlume sidomos në botën shqiptare të sunduar nga paragjykime, nga norma morale démodé, nga tabiate prapanike, nga ide fanatike, nga qëndrime që nuk pranojnë modernitetin, nga intoleranca, etj., etj. Nuk është arritje e vogël në botën shqiptare, s’ka gjë se nuk janë vetëm njerëzit e dalluar për drojë civike që përfitojnë prej kësaj arritjeje; për fat të keq, të shumtit që përfitojnë janë të liqtë, gojëprishurit, shpifarakët, intolerantët, fanatikët, etj. Por kjo nuk e komprometon demokracinë në botën online. Përkundrazi, e nxjerr më shumë në evidencë atë. Demokracia është demokraci, sepse tonin e japin të shumtit.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel