Nano, një rrugë me gropa drejt presidencës

21/04/2012 00:00

Skënder Minxhozi  – Tashmë është zyrtare kandidatura e parë për postin e Presidentit. Ndërsa
Jozefina Topalli vijon të thotë në mënyrë hipokrite, se ndihet mirë në
poltronin e kreut të Kuvendit, ndërkohë që emra të njohur e të panjohur
kanë nisur të mbushin faqet e para të gazetave, Fatos Nano u vetofrua
para dy ditësh, për të tretën herë në karrierën e tij, për të zënë
vendin e Bamir Topit në korrikun e ardhshëm.

Ka gjetur një moment të vështirë për të predikuar paqen dhe marrëveshjet mes PD e PS ish-kryeministri i fundit socialist. Nëse do të perifrazonim Markezin, Nano po kërkon të arrijë Presidencën, duke predikuar dashurinë në kohën e kolerës.

Ndodhemi në paradhomën e zgjedhjeve të përgjithshme, prej ku, me shumë gjasë, njëri ndërmjet Berishës dhe Ramës, do të marrë një plagë të pashërueshme politike. Çka e bën edhe garën e këtij viti për Presidentin, veçanërisht të ashpër e të helmuar. Linja paqëtuese e Fatos Nanos, tingëllon në këto kushte, si një platformë utopike e jashtë realitetit. Sepse Berisha dhe Rama kanë sot më pak vullnet se kurrë, që të ulen, të flasin e të vendosin së bashku.

Duke e parë në retrospektivë, Fatos Nano po kërkon të bëjë në vitin 2012, atë që nuk arriti ta bëjë në vitet 2002-2007. Dy momente, kur kandidatura e tij për kreun e shtetit kishte objektivisht shumë më tepër shanse sesa sot. Dhe për këtë ka disa shpjegime. Së pari, në vitin 2002 ishte vetë Nano që udhëhiqte procesin e negocimit për kreun e ri të shtetit. Një ndryshim jo i vogël, krahasuar me momentin aktual, kur në krye të tavolinës është ulur Sali Berisha. Nga ana tjetër, asokohe bashkësia ndërkombëtare e kishte bërë të qartë se shumica e majtë e dalë nga zgjedhjet e vitit 2001, duhet të bënte medoemos koncesionin presidencial. Pra t’ia linte kandidimin opozitës së djathtë. Përtej ndonjë lëvizjeje të momentit të fundit, ndërkombëtarët kanë ndenjur deri tani thuajse pasivë për procesin në fjalë. Të paktën deri më sot.

Nëse vijmë te viti 2007, shansi i dytë për Fatos Nanon, ishte koha kur Berisha ushqente ende shpresë se një Presidencë Nano, do ta dobësonte indirekt lidershipin Rama në krye të PS. Dobësimi i aksioneve politike të Nanos gjatë viteve të fundit, kur ai qëndroi në Vjenë, e ka nxjerrë atë gradualisht nga orbita e lojtarit të fortë, në raport me ish-partinë e tij. Kësisoj, edhe oferta e Doktorit e katër vjetëve më parë, sot nuk është më e vlefshme. E tha edhe dje në Kamzë, hapur dhe shkoqur.

Për këto arsye, hera e tretë e kandidatit presidencial, Nano, duket edhe më e vështira. Baleti i pamundur i Nanos drejt Presidencës, kalon përmes mbledhjes së një konsensusi, i cili duhet të nisë medoemos me mazhorancën, për të vijuar në mënyrë po aq të pashmangshme me opozitën. Me fjalë të tjera, pasi të kesh marrë garancinë për votat e zgjedhjes, duhet të marrësh gjithashtu garanci për votat e kandidimit. Një shteg plot dredha, kurthe dhe pusi. Gjithmonë, nëse merret e mirëqenë se çështja e Presidentit nuk do të jetë një aferë e panegociueshme politike e shumicës së djathtë. Dhe që të arrijë t’i bindë të gjithë se është i pranueshëm për të gjithë, Nano duhet të rrumbullakosë gjuhën, të bëjë sikur s’dëgjon e sikur nuk sheh, për shumë nga zullumet që konsumohen përditë në podiumin e politikës. Në daljen e fundit te Sokol Balla, ai mbajti me insistim një linjë pajtuese mes palëve, duke folur ngadalë, duke i matur fjalët e duke anashkaluar me kujdes të gjitha gropat thithëse të politikës shqiptare. Përgjigjja që i jepte dje Fatos Nanos Erion Braçe, teksa i kujtonte pozicionimin e butë ndaj 21 janarit, është në këto momente në gojën e shumë prej socialistëve që kanë parë parmbrëmë ish-liderin e tyre, të përdorte për krizën shqiptare, një gjuhë të ngjashme me atë të një socialdemokrati skandinav!

A është i pranueshëm për të gjithë një kandidat që sillet kësisoj? Si Berisha, ashtu edhe eksponentë të opozitës, konfirmuan se nuk ishin sugjestionuar nga gjesti publik i politikanit veteran.

Ndoshta jo fort larg, mund të vijë një moment kur vetë Nano do ta kuptojë se ka më shumë gjasa që të faktorizohet në politikë duke u afruar direkt me Ramën, pa ndërmjetësinë e projektit thuajse të pamundur të kreut të shtetit, sesa të vijojë të ndjekë një ëndërr që po i ikën prej një dekade. Opozita e sotme ka nevojë, më shumë sesa duket, për kuotat elektorale të Nanos, në rrugën drejt zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Kjo mund të ishte një bazë serioze negociate mes këtij të fundit dhe Edi Ramës, natyrisht pa përfshirë Presidencën.

Duke ndenjur larg politikës për shtatë vjet të plota, Fatos Nano vërtet arriti të pastrojë pjesë të imazhit dhe të krijojë një profil pak a shumë të baraslarguar, por mbeti gjithashtu një figurë e përjashtuar nga të gjitha zhvillimet korente që politika krijoi në këtë periudhë kohe. I miri i të gjithëve, siç po kërkon të jetë tani Fatos Nano, është një profesion që mund të praktikohet në kohë paqeje, jo në kohë lufte politike, si kjo e tanishmja.

Gazeta “Shqip”

Top Channel