Robben: E shoh veten në finale

19/04/2012 13:30

Arjen Robben deklaroi se Bayern Munchen duhet të luajë pa frikë në “Santiago Bernabeu” pas fitores së gjysmëfinales së parë ndaj Real Madrid me rezultatin 2-1 në “Allianz Arena”.

Mesfushori i Bayern Munchen deklaroi për gazetën spanjolle ‘AS’: “Në ndeshjen e parë treguam se kemi një ekip shumë të mirë. Krijuam shumë raste dhe duhet të bëjmë të njëjtën gjë në ndeshjen e kthimit. Ky është stili ynë, jemi ekip sulmues. Nuk mund të mbrohemi për 90 minuta sepse Reali ka shumë lojtarë cilësorë. Ata me siguri do të shënojnë të paktën një gol kështu që edhe ne duhet të shënojmë.”

Robben do të rikthehet sërish në stadiumin ku ka luajtur për 2 sezone (2007-2009), por nuk dëshiron të flasë për të shkuarën: “Ishte një eksperiencë e bukur në Spanjë, por tashmë ka kaluar dhe shoh vetëm të tashmen.”

Për ta mbyllur, hollandezi mëngjarash siguroi të gjithë tifozët e Bayern Munchen: “Unë e shoh veten në finale. E ndjej që do jemi në ndeshjen e madhe.”

Top Channel