Misioni i OSBE-së në Kosovë ka preferuar të mos bëjë komente lidhur me mundësinë e organizimit të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në territorin kosovar.

“Për momentin ne nuk kemi ndonjë informacion që mund ta ndajmë lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar zëdhënësi i misionit, Nicola Gaon për “REL”.

Më herët ishte raportuar se OSBE ka zhvilluar bisedime me qeverinë kosovare për organizimin e mundshëm të proçeseve elektorale serbe të 6 majit, përveç atij për zgjedhjet lokale.

Pikërisht këto të fundit kanë futur në kaos situatën në veri të Kosovës dhe vetë qeverinë serbe, përfaqësues të të cilës dalin me qëndrime të ndryshme mbi mbajtjen e tyre.

Disa ditë më parë shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanoviç deklaroi se Beogradi do të respektojë vendimin e UNMIK-ut përsa i përket kësaj çështjeje.

Ndërsa Marko Jakshiç, një nga krerët e Kuvendit paralel në veri, deklaroi të mërkurën se qeveria e Prishtinës nuk mund t’i ndalë zgjedhjet lokale serbe.

Vetë, presidenti i dorëhequr i Serbisë, Boris Tadiç deklaroi se vendi i tij do të respektojë të drejtën ndërkombëtare përsa i përket çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Ndërsa Prishtina zyrtare, konkretisht presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi janë shprehur disa herë se zgjedhjet lokale nuk do të mbahen, ndërkohë që janë shprehur pro për ato presidenciale dhe parlamentare.

Top Channel